Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit, njoftoi se janë marrë peng 6 ushtarë të Armenisë të cilët ishin duke vendosur mina në rrugët e furnizimit të ushtarëve të Azerbajxhanit.

Në njoftimin e ministrisë thuhet se një ekipi zbulimi dhe sabotimi i ushtrisë armene është përpjekur për të kaluar kufirin në drejtim të rajonit Kalbajar në orët e para të 27 majit.

Më tej bëhet e ditur se grupi ka qenë duke vendosur mina në rrugën e furnizimit që ushtria azerbajxhanase po përdor, ndërsa në operacion janë marrë peng 6 ushtarë armenë.

Gjithashtu theksohet se në të njëjtin drejtim në orët e mëngjesit në rajon janë mbledhur disa mjete ushtarake përfshirë tanke të ushtarëve armenë, por me masat e marra nga ushtarët azerbajxhanas është parandaluar lëvizja e tyre.

– Zhvillimet në kufirin Azerbajxhan-Armeni

Mes dy vendeve u shkaktua tension pasi ushtria e Azerbajxhanit u vendos në disa pozicione në kufirin me Armeninë në rajonet Kalbajar dhe Lachin të çliruara nga pushtimi armen.

Kryeministri armen, Nikol Pashinyan, për disa rajone ku është vendosur ushtria e Azerbajxhanit pretendoi se janë territore të Armenisë dhe lidhur me çështjen mori vendimin që të aplikojë në Organizatën e Traktatit të Sigurisë Kolektive.

Marrëdhëniet midis dy ish-republikave sovjetike të Armenisë dhe Azerbajxhanit kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991 kur ushtria armene pushtoi Malësinë e Karabakut, një territor i njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit dhe shtatë rajonet fqinjë.

Vitin e kaluar, konflikti u përshkallëzua dhe zgjati gjashtë javë, duke përfunduar me një armëpushim të ndërmjetësuar nga Rusia.

Gjatë kësaj kohe, Azerbajxhani çliroi disa qytete strategjike dhe gati 300 vendbanime dhe fshatra të tij nga pushtimi armen. Të dy vendet nënshkruan një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Rusia më 10 nëntor për t’i dhënë fund luftimeve dhe për të punuar drejt një rezolute gjithëpërfshirëse.

Një qendër e përbashkët turko-ruse u krijua për të monitoruar armëpushimin. Trupat paqeruajtëse ruse janë vendosur gjithashtu në rajon.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb