Forcat e sigurisë në Jangon, qyteti më i madh i Mianmarit, ka përdorur armë zjarri, duke qëlluar në ajër për të shpërndarë turmën e protestueseve që kundërshtuan puçin ushtarak. Rreth 1,000 demonstrues u mblodhën para një qendre të njohur tregtare në Jangon, duke thirrur slogane kundër puçit.

Forcat e policisë i ndoqën ata nga rruga kryesore dhe korsitë e afërta. Mianmari, që ndryshe njihet edhe si Birmani, është përfshirë nga protestat, prejse ushtria ka marrë pushtetin më 1 shkurt, duke rrëzuar qeverinë e zgjedhur dhe udhëheqësen e saj, Aung San Suu Kyi. Suu Kyi, e cila është vënë në arrest shtëpiak, nuk është parë qëkur ka ndodhur puçi. Ajo pritet të dalë në gjykatë javën e ardhshme, për disa akuza të ngritura nga ushtria, por që shihen si të motivuara politikisht.

Junta ushtarake ka thënë se ka organizuar puçin, pasi në zgjedhjet e nëntorit, që i ka fituar partia e Aung San Suu Kyisë, ka pasur mashtrime të gjera. Vëzhguesit e zgjedhjeve kanë thënë se ato kanë qenë të drejta. Ushtria ka thënë se gjendja e jashtëzakonshme do të zgjasë një vit dhe se, pastaj, do të organizohen zgjedhje të reja. Disa vende perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara, kanë vendosur ose kanë kërcënuar me sanksione ushtrinë e Mianmarit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb