Vala e zgjatur e të nxehtit që ka përfshirë Evropën po shkakton pasoja dramatike, me mbi 1,300 viktima të regjistruara që nga 21 qershori dhe miliona qytetarë të ekspozuar ndaj temperaturave ekstreme.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), temperaturat mbi 35 gradë Celsius pritet të prekin të paktën 191 milionë njerëz në të gjithë kontinentin.

Në një reagim në platformën X, Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, deklaroi se që nga 21 qershori janë regjistruar më shumë se 1,300 vdekje të lidhura me temperaturat e larta.

“Rreth 150 milionë njerëz jetojnë në kushte ekstreme të të nxehtit, qindra persona kanë humbur jetën, shkollat janë mbyllur dhe rrjetet energjetike po përballen me presion të madh”, theksoi ai.

Në Gjermania, ku po regjistrohet një nga valët më intensive të të nxehtit në histori, autoritetet në Berlin kanë nisur të freskojnë qytetarët duke i spërkatur me topa uji në hapësirat publike.

Ndërkohë, shërbimi meteorologjik gjerman raportoi një rekord të ri kombëtar prej 41.7°C në Köschen, në shtetin e Brandenburgut, pranë kufirit me Poloninë.

Edhe Republika Çeke shënoi temperaturën më të lartë të regjistruar ndonjëherë, me 41.1°C në Doksany, në veri të Pragës.

Temperaturat ekstreme kanë shkaktuar edhe probleme në transport. Në Gjermani u reduktuan shërbimet hekurudhore në një linjë të rëndësishme në North Rhine-Westphalia, ndërsa tramvajet u pezulluan në Leipzig. Shumë banorë zgjodhën të mos dilnin nga shtëpitë deri në orët e mbrëmjes.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb