Evropa Perëndimore po përballet me një valë të pazakontë të nxehti, e cila ka thyer rekordet historike të temperaturave për muajin maj, veçanërisht në Britaninë e Madhe dhe Francë.
Meteorologët e kanë cilësuar situatën si “krejtësisht të pashembullt” për këtë periudhë të vitit. Në Londër, temperaturat kanë arritur deri në 35 gradë Celsius, nivele që konsiderohen shumë të larta jo vetëm për muajin maj, por edhe për kulmin e verës.
Ndërkohë, në disa rajone të Francës termometri ka shënuar deri në 39 gradë Celsius, duke e bërë këtë majin më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë në të dy vendet.
Sipas meteorologëve, temperaturat ekstreme pritet të vazhdojnë edhe gjatë së enjtes, ndërsa një rënie graduale e tyre parashikohet të nisë nga dita e premte.
Temperatura jashtë çdo norme sezonale janë regjistruar edhe në Spanjë, sidomos në zonat e brendshme si Salamanca dhe Bilbao, ku moti i nxehtë po i ngjan më shumë muajit gusht sesa pranverës.
Ekspertët paralajmërojnë se valët e të nxehtit po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe intensive për shkak të ndryshimeve klimatike globale.
