Pas bumit evropian të energjisë diellore fshihet teknologjia kineze. Por ekspertët ngrenë alarmin: kjo varësi mund të vërë në rrezik sigurinë energjetike të kontinentit dhe rrezikon furnizimin.

Komisioni Evropian ka ndërmarrë hapa për të bllokuar financimin e teknologjisë diellore të prodhuar në Kinë, për shkak të frikës se kjo teknologjimund të përbëjë një kërcënim për sigurinë e rrjetit elektro-energjetik evropian dhe madje të shkaktojë ndërprerje të mëdha të energjisë elektrike. Vendimi i konfirmuar më 4 maj, pasqyron shqetësimin në rritje në Bruksel se varësia e Evropës nga teknologjia e gjelbër kineze e bën Bashkimin Evropianmë të cenueshëm ndaj rreziqeve të sigurisë.

Ndalimi i financimit fokusohet te inverterët solarë, të cilët shpesh përshkruhen si truri i sistemeve të prodhimit të energjisë diellore. Këta inverterë janë pajisje që shndërrojnë energjinë diellore në energji elektrike të përdorshme. Ata janë të lidhur me internetin dhe shpesh mund të kontrollohen nga distanca për qëllime mirëmbajtjeje dhe përditësimi të softuerit.

Skenari më i keq: ndërprerje e energjisë në mbarë Evropën?
“Të gjitha kompanitë që prodhojnë invertorë kanë diçka të ngjashme me një çelës fikjeje”, deklaroi për DW Kristof Podevils, sekretar i përgjithshëm i Këshillit Evropian për Prodhimin e Pajisjeve Solare.

Ky “çelës fikjeje” dhe lidhjet e tjera në distancë zakonisht përdoren për arsye sigurie ose për stabilizimin e rrjetit. Por ekspertët e sigurisë kibernetike paralajmërojnë se, në skenarin më të keq, hakerët ose aktorë armiqësorë ndaj shteteve mund t’i shfrytëzojnë këto lidhje për të prishur furnizimin me energji elektrike.

Gjatë vitit 2024, 61 përqind e të gjithë inverterëve të importuar në Evropë vinin nga Kina, sipas të dhënave të grupit kërkimor Lum me seli në Gjenevë. Huawei dhe Sungrow janë dy prodhues inverterësh që dominojnë jo vetëm tregun evropian, por edhe atë global. Disa prodhues kinezë kanë furnizuar tashmë pajisje për më shumë se 220 gigavat kapacitet diellor të instaluar në Evropë.

“Për ta vënë në perspektivë, kontrolli i rreth 10 gigavatëve do të mjaftonte për të shkaktuar çrregullime të mëdha në rrjetin elektroenergjetik evropian”, tha Podevils.

Pajisje të dyshimta komunikimi
Nuk ka asnjë rast të njohur që inverterët e prodhuar në Kinë të jenë përdorur për të fikur pjesë të rrjetit evropian. Megjithatë, shqetësimet u shtuan pasi Reuters raportoi në vitin 2025 se zyrtarët amerikanë të energjisë kishin zbuluar pajisje të dyshimta komunikimi brenda disa inverterëve të prodhuar në Kinë. “Kërcënimi është real”, tha ekspertja e sigurisë kibernetike Svantje Vestfal. “Nuk bëhet fjalë për një skenar të trilluar.”

Debati për inverterët zhvillohet në një kohë kur Evropa po rishikon varësinë e saj nga importet e teknologjisë kineze për energji të pastër. Sipas të dhënave të grupit Lum, Kina përbën 98 përqind të importeve të paneleve diellore dhe 88 për qind të importeve të baterive litium-jon në Evropë. Ky organizëm ka paralajmëruar se funksionet e aksesit në distancë në teknologjitë energjetike të lidhura me rrjetin mund të krijojnë dobësi potenciale në sistemet elektroenergjetike.

Dominimi i teknologjisë së gjelbër kineze në Evropë
Brukseli po mban gjithnjë e më shpesh një qëndrim më të ashpër ndaj importeve kineze që konsiderohen si rrezik për sigurinë ose si kërcënim për industrinë evropiane. Në mars, Komisioni Evropian prezantoi Aktin për Përshpejtimin Industrial, i cili synon të drejtojë më shumë financime drejt teknologjive të gjelbra evropiane, përfshirë bateritë dhe automjetet elektrike.

Komisioni ka paraqitur gjithashtu një rishikim të Aktit të Sigurisë Kibernetike, i cili do t’i japë Brukselit kompetenca më të mëdha për të kufizuar kompanitë kineze në infrastrukturën kritike, si komunikimet apo furnizimi me energji në të gjithë Bashkimin Evropian.

Sipas masave më të fundit, fondet e BE-së që menaxhohen drejtpërdrejt nga Komisioni dhe institucionet si Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim nuk mund të përdoren më për blerjen e inverterëve solarë të prodhuar në Kinë. Kufizimet nuk vlejnë për blerjet që kryhen drejtpërdrejt nga shtetet anëtare të BE-së, ndërsa inverterët kinezë tashmë të instaluar në Evropë mund të vazhdojnë të jenë në përdorim.

“Është një hap në drejtimin e duhur”, tha Vestfal. “Por ne nuk i kemi ndaluar këta inverterë kinezë në tregun tonë.”

A mund t’i mbulojnë inverterët evropianë mungesat?
Aktualisht, 80 për qind e sistemeve të reja diellore në Evropë mbështeten te inverterët kinezë, sipas të dhënave të Këshillit Evropian për Prodhimin e Pajisjeve Solare. Nëse furnitorët kinezë tërhiqen nga përmbushja e kërkesës evropiane, prodhuesit evropianë do të duhet të mbushin një boshllëk të konsiderueshëm.

Por Podevils është i bindur se furnitorët evropianë janë të përgatitur: “Është e mundur të rriten kapacitetet prodhuese brenda vetëm disa muajsh, deri në nivelin e nevojshëm për të mbuluar kërkesën”.

Sipas pritshmërive, inverterët e prodhuar në Evropë do të jenë disi më të shtrenjtë se alternativat kineze — rreth 2 përqind më shumë, sipas një zyrtari të Komisionit Evropian. Megjithatë, Podevils thekson se ky kosto shtesë është e justifikuar.

“Është si të paguash një sigurim”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb