News 24 dhe BalkanWeb publikuan dje dhe do të vazhdojnë edhe sot me pjesën e dytë të një video përgjimi të një prej zyrtarëve lokalë në Sarandë, i cili orientonte një çift të moshuarish të jepnin ryshfet “te shefat në Tiranë” për të marrë një leje shfrytëzimi në plazhin e Ksamilit.

Inxhinieri i urbanistikës, Ariel Balani, ishte shumë i qartë për rrugën që duhet të ndiqnin Foti dhe Sofi Doda dhe nga përgjimi dëgjohet gatishmëria e tij për të takuar personat e duhur në Tiranë.

Pas këtij video skandali, që për nga tematika, tashmë është bërë rutinë në administratën e Rilindjes reagoi ne Facebook Drejtoresha e IKMT-së, Dallëndyshe Bici, e cila akuzoi median si “kamzhik për hakmarrje” dhe shprehu keqardhjen për gazetarët që punojnë aty.

Së pari, News24 dhe BalkanWeb publikuan një përgjim të realizuar nga dy qytetarë që iu kërkohen para në emër të IKMT-së për një leje plazhi. Dallëndyshe Bici si zyrtare publike e rangut të dytë që është, në vend të japë llogari, i jep leksione medias se si duhet te sillet, madje shkon edhe me tej duke akuzuar pronarin e “Hysenbelliu Group” për hakmarrje.

Së dyti, letra e saj duket nga ato tekstet tipike të zyrës së propagandës së kryeministrit, të recituar nga Bici si papagall, në të paktën dy momente. Teksa kreu i qeverisë i cilëson gazetarët si kazanë dhe shantazhues, Dallëndyshja e Ramës përdor termat “kamzhik për hakmarrje” dhe “gangsterë”. Por ka edhe një moment tjetër që të bën të mendosh se letra në fakt nuk është shkruar fare nga Bici, por nga këshilltarët e Ramës. Në 6 paragrafët e letrës, ajo heq çdo përgjegjësi nga vetja dhe nuk jep asnjë shpjegim për sjelljen prej banditësh të vartësve që kërkojnë para në emër të saj.

“Unë, Dallëndyshe Bici, nuk kam mbajtur dhe nuk mbaj përgjegjësi për askënd se çfarë thotë, çfarë premton, apo çfarë manipulon. Sekush ka kokën e vet mbi shpinë. Unë përgjigjem para ligjit, ndërgjegjes dhe publikut për firmën time dhe urdhrat e mi”, shkruan drejtuesja e IKMT-së.

Kjo ngjan se është e njëjta fjali që kryeministri Rama është detyruar të lexojë sa herë që një deputet, ministër apo kryebashkiak i tij përfundonte në burg. E të mendosh që Rama e ka thënë disa herë këtë fjali, aq sa në burg është krijuar një grup parlamentar me rilindas të përfshirë në shkelje te ligjit të cilët Rama i ka lëshuar, sapo Prokuroria ka prerë fletë-arrestet.

Së treti, Dallëndyshe Bici e lidh publikimin e videopërgjimit me prishjen e paligjshme të Prestige Resort.

“Sot ishte turpi i radhës i urrejtjes që ka verbuar ndërtuesin e paligjshëm të objektit “Prestigj” në bregdetin e Kavajës të cilin IKMT e prishi pak javë më parë, ku me një video të tre viteve më parë, synon paturpësisht të më intimidojë personalisht, të baltosë punën e institucionit që drejtoj, të na armiqësojë me njerëzit që vetëm po na falënderojnë për hapësirat që u kthejmë në emër te ligjit, dhe të shfryjë mllefet e tij si bej i rënë nga vafti”, shkruan Bici në letrën e saj.

Drejtoresha e Ramës merr në këtë mënyrë përsipër të gjykojë si të ligjshme shembjen banditeske të Prestige Resort kur me firmën e saj e kishte cilësuar me leje e për më tepër pa marrë më parë në dorë një vendim gjykate që ta ligjëronte atë.

Dallëndyshe Bici duket se është nga ato specie zyrtarësh që jo vetëm veprojnë në mënyrë të verbër sipas urdhrave të shefit, por dhe i mbrojnë këto turpe në publik duke sulmuar këdo që u kërkohet nga shefi që adhurojnë.

News24 do vazhdojë të publikojë me zë e figurë denoncimin e çdo qytetari që i janë kërkuar para nga administrata në këmbim të një të drejte që i takon. Ashtu siç do ndodhë dhe ketë herë me çiftin nga Ksamili që e tregojnë vetë kalvarin me IKMT-në e Dallëndyshe Bicit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb