TIRANE – Lëvizja Socialiste për Integrim thekson rëndësinë e përmbylljes së reformës në drejtësi, duke bërë thirrje për mirëkuptim mes palëve, dhe të shmanget ndarja nëpër llogore politike të panevojshme.
Kreu i grupit të LSI-së, Petrit Vasili bëri të ditur sot se Ylli Manjani do të jetë zëdhënësi zyrtar i LSI-së për reformën në drejtësi, jo vetëm për ndjekjen e problemit, por edhe për komunikimin e vazhdueshëm me median.

Sipas Vasilit, “për LSI reforma në drejtësi është një çështje madhore, parametër ndarës midis një Shqipërie që ecën drejt modernizimit dhe evropianizimit dhe një Shqipërie të prapambetur”.

Vasili theksoi se edhe çështja e dekriminalizimit është një problematikë që duhet përmbyllur. Sipas tij, draftet e paraqitura dhe qëndrimet mes palëve janë shumë të përafërta, ndaj sipas tij nuk ka arsye për zgjatje të mëtejshme të çështjes.

“Çdo zgjatje e mëtejshme nuk i shërben më kurrkujt. LSI ka qenë inspirues i një qëndrimi që realizon konsensuse. Asnjëra palë të mos vazhdojë një lojë që nuk u shërben qytetarëve por vetëm mban debate fiktive artificiale të ndezura më kot.”- tha Vasili.

Edhe Ylli Manjani theksoi se projekti i reformës në drejtësi është më i rëndësishmi për vendin sot për sot. Sipas tij, kjo reformë ka nevojë për një debat të gjerë publik dhe për konsensus mes palëve.

“Jemi në një fazë që ka një projekt, për të realizuar disa mendime kushtetuese në raport me drejtësinë. Më e rëndësishmja është që është nevoja për një debat të gjerë publik dhe së dyti nevoja për një konsensus, që janë mjete shumë të rëndësishme për suksesin e kësaj reforme. Pa këto jo vetëm që reforma do ishte e paplotë. Ka një tendencë që është për tu përshëndetur, tendencë për të mos e politizuar reformën.  Të mos hyjmë në llogore politike të panevojshme.”- deklaroi Manjani.

I pyetur nga gazetarja e “News24”, Marsela Karapanço lidhur me “përplasjen” që kryeministri Rama pati me Dhomën Amerikane të Tregtisë, për aksionin kundër informalitetit, zoti Vasili tha: “Lidhur me çdolloj komenti që vjen, vëmendja ndaj çdo lloj komenti, ndaj çdo lloj vërejtjeje është kulture. Çdo gjë që është racionale është mirë të merret në konsideratë. Gjithmonë një proces kaq i gjatë dhe i gjerë, si aksioni i informalitetit ka nevojë për sugjerime. Qeveria është treguar e hapur për opinione nga organizma të tjerë, jo vetëm nga dhoma amerikane, sugjerimet janë të mirëpritura.”

Më tej Vasili foli edhe për atë që u komentua në media si braktisje të Kuvendit nga ana e përfaqësuesve të LSI-së, gjatë seancës së kaluar, duke theksuar se kur debatet janë të gjata ndodh që salla të mos jetë plot.

“Po të kishit bërë një kthim të lehtë të kamerave do të konstatonit që kishte deputetë të Lsi-së. Ishte një sallë që përgjithësisht kur debatet janë të gjata ndodh të mos jetë plot.”- tha Vasili.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: