Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24” duke folur për vdekjen e biznesmenit italian në Shqipëri, Davide Pikoreli, deklaroi se ngjarja është e mbushur me mister.

Lala theksoi se hetuesit italianë janë duke hetuar disa pista, ndërsa ajo më e besueshme është pista e aksidentit.

“Vdekja e Davide Pikorelit ka shumë mister. Ekipi italian po heton në Shqipëri. Eshtrat e gjetura në automjet, janë mbetje humane, por nuk dihet nëse i përkasin shtetasit Pikoreli, sepse nuk kemi laborator që mund të bëjë ADN për eshtrat e djegura. Prokuroria e Pukës do të çojë eshtrat në Itali. Po hetohet edhe pista e aksidentit. Po hetojnë edhe vetëvrasjen e mundshme, por duhet shumë punë për të mbërritur në një përfundim për këtë pistë”, tha Lala.

Klodiana Lala më tej deklaroi se Neës 24 ka zbardhur atentatin në Laç, të zhvilluar gjatë kohës së pandemisë. Ajo shtoi se Eduard Lamaj mund të jetë ekzekutori dhe se ngjarja mund të ketë arsye të prishjes së trafikut të drogës.

“Kjo ishte ngjarje e rëndë, që ndodhi në maj 2020. Ndodhi në kohë pandemie dhe autorët vepruan në një mënyrë të strukturuar kriminale, mënyra si ishte kryer, armët ishin të rënda të përdorura, ishte ngjarje që tërhoqi vëmendjen e opinionit publik. Autorët janë zbardhur dhe dosja është në Gjykatën e Kubinit. I dyshuari kryesor është Eduard Lamaj. Ai dyshohet se është ekzekutori, për shkak s profili i tij përputhej me ADN-në e gjetur në ngjarje. Të gjithë në bashkëpunim akuzohen për vrasje e kryer në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje. Bujar Lika humbi jetën, që dyshohej për vrasje, ishte edhe biznesmeni Paulin Gjergji Markaj. Djemtë e Paulinit janë mbajtur peng. Autorët ishin veshur me uniforma policie. Ngjarja mund të ketë ardhur për shkak të konfliktit për prishje të pazareve të drogës. Dyshohet se trafiku i drogës të jetë shkaku, por Prokuroria ende nuk ka version zyrtar”, u shpreh Lala.

Po ashtu, Lala deklaroi se shteti duhet të bëjë më shumë, pasi familjet e përfshira në ndodhi janë në konflikt të hapur.

“Shefqet Lika, babai i një prej viktimave ka thënë se kur ka kryer varrimin e djalit, nuk kishte asnjë indicie se kush mund të ketë kryer vrasje. Simon Lamaj, babai i Lamaj i ka dërgur letër Likës. Nuk del askund që familjet të jenë pajtuar. Mirëpo, kjo ngjarje nuk mund të mbyllet me kanun, pasi shteti shqiptar funksionon me ligje. Tjetër dëshmi interesant është dëshmia e babait të Vlashit. Ai kur ka mësuar se djali dyshohet se ishte përfshirë në ngjarje, i ka kërkuar falje Bujar Likës. Ai nuk ka marrë falje nga familja. Janë disa familje të përfshira në këtë histori. Familjet janë në konflikt të hapur dhe shteti duhet që të jetë më vigjilent. Janë njerëz që dyshohet se janë nga bota e krimit dhe ndaj duhet pasur kujdes”, deklaroi Lala.

Në fund, Lala nënvizoi se Myslim Lika u plagos për hakmarrje.

“Myslim Lika u plagos dje, që ishte duke u kthyer nga varrimi i motrës, që ajo kishte vrarë veten. Ai është babai i Ilir Likës. Ai është qëlluar me dy plumba. Shënjestra e atentatit i ishte nënshtruar operacionit. Në spital kishte edhe policë, sepse ndodh që hakmarrja nuk mbyllet aty. Familja Lika kishte disa konflikte. Bujar Lika kishte qenë në burg 20 vjet, Ilir Lika ishte në kërkim. Janë shumë pista të hapura e nuk dihet arsyeja e ngjarjes. Edhe nëna e Ilir Likës tha se do t’i kërkonte falje familjeve. Zonja tha se kërkon mbrojtje nga shteti. Të bëhet drejtësi për ngjarjet kriminale. Ajo është zonjë që ka pasur babanë në burg dhe djalin me histori krimi, është e rrezikuar. Ndaj, institucionet duhet që të mbrojnë këta persona të rrezikuar”, përmbylli Lala.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb