Shefi i Shtabit të Forcave tona të Armatosura, Bardhyl Kollçaku ka dalë një një konferencë të posaçme për shtyp pas incidentit të rëndë të ndodhur me kontingjentin shqiptar në kuadër të misionit të NATO-s në Letoni.

Ai tha se, gjatë kryerjes së detyrës për asgjësimin e municioneve tre efektivë shqiptarë janë dëmtuar nga shpërthimi i disa municioneve të paplasura. Për pasojë Zarife Hasanaj është plagosur e më pas ka humbur jetën ndërsa Klodian Tanushi e Julain Kapaj kanë mbetur të plagosur.

Duke shprehur ngushëllimet për familjen e të ndjerës dhe të plagosurve dhe i siguroi të gjithë familjarët e efektivëve tanë në Letoni se po ndiqet me vëmendjen maksimale ngjarja që ka ndodhur

DEKLARATA E PLOTE
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Letoni, ku Forcat tona të Armatosura janë përfaqësuar me një kontigjent në kuadër të misionit të NATOs “Enhanced Forëard Presence”.
Një grup i kontigjentit të asgjesimit të municioneve dhe lëndëve eksplozive, gjatë kryerjes së detyrës së tyre, sot në ora 9.10 (ora 10.10 me orën lokale) janë dëmtuar nga shpërthimi i disa municioneve të paplasura. Ngjarja ka ndodhur gjatë kryerjes së detyrave luftarake, në bazën e NATO-s ku ishte zhvilluar një stërvitje ushtarake e një prej aleatëve.
Nga ky shpërthim është plagosur dhe më pas ka humbur jetën Nëntetare Zarife Muharrem HASANAJ. Të plagosur kanë mbetur komandanti i kontigjentit, Major Klodian Nikolla TANUSHI dhe Rreshter Julian Xhevat KAPAJ.
Sipas informaciomeve të deritanishme Major TANUSHI dhe Rreshter KAPAJ janë nën kujdesin maksimal të mjekëve, në bazën Camp Adazi, në Letoni.
Për ngjarjen e sotme jemi në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet më të larta letoneze dhe të aleatëve tanë në mision.
Në emër të Forcave të Armatosura i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes së Nëntetares HASANAJ që humbi jetën në krye të detyrës dhe urojmë shërim të shpejtë për Major Klodian TANUSHI dhe Rreshter Julian KAPAJ.
Njëherësh, në emër të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura siguroj të gjithë familjarët e efektivëve tanë në Letoni se po ndjekim me vëmendjen maksimale ngjarjen që ka ndodhur. Në këtë moment të vështirë jemi pranë cdo efektivi të Forcës së Armatosur në Letoni dhe kudo ku Shqipëria është e angazhuar në përmbushjen e misionit.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb