PUKË- Gjykata e Pukës ka dënuar me 7 vite e 6 muaj burg autorin e vrasjes së elektricistit Bajram Hyseni, ngjarje e ndodhur në dhjetor të vitit të kaluar. Por Petrit Mirashi i cili u akuzua nga Prokuroria për plagosjen me pasojë vdekjen e elektricistit,i për shkak te gjykimit te shkurtuar do të vuajë vetëm 5 vite burg.

Vendimi ka irrituar familjarët, të cilët kalojnë në ekstremitet. Bashkëshortja dhe xhaxhai i viktimës shprehen se janë të indinjuar nga gjykimi teksa kërkojnë rishikimin e këtij vendimi i cili sipas tyre i hap rrugë vetëgjyqësisë nga ana e tyre.

Bashkëshortja e të ndjerit u shpreh sot për News24 se vendimi i dhënë për vrasësin e Bajramit ishte qesharak. “Me dënime të tilla i bie të vrasë e të bëjë krim kushdo dhe të dënohet vetëm me 5 vite burg. Çfarë do të thotë kjo për mua dhe dy djemtë e mi? Asgjë më shume se sa të marrim vetë masa për të çuar në vend dinjitetin e Bajramit”, thotë ajo.

Ndërkohë mes lotësh shprehet i irrituar dhe xhaxhai i elektricistit, Rexhep Hyseni, i cili shprehet se përmes këtij vendimi Gjykata po i çon në vetëgjyqësi. “Jemi vërtet të shokuar nga ky vendim i Gjykatës së Pukës. Si është e mundur një gjë e tillë?! Çfarë duhet të bëjmë ne tani, përveç që të hakmerremi. I kërkoj organeve të larta të shtetit të ndërhyjnë dhe të shikojnë këtë vendim. Unë jam i bindur se apeli do e hedhë poshtë vendimin e Gjykatës së Pukës, e cila shiti gjakun e të afërmit tonë”, shprehet xhaxhai i viktimës.

Bajram Hyseni u qëllua me mjete të forta pasditen e 15 dhjetorit teksa kryente leximin e matësve elektrike në fshatin Berishë të Njësisë Administrative Iballë në Bashkinë e Fushë Arrëzit. Ish-punonjësi i OSHEE pas transportit me helikopter qëndroi nën përkujdesjen e mjekëve të Traumës deri në 21 janar të këtij viti kur dhe iu dorëzua vdekjes duke lënë pas bashkëshorten dhe fëmijët të cilët sot mbijetojnë pa asnjë të ardhur, ndërsa askush nuk është interesuar për ta.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: