ATHINE- Drejtoria e Policisë së Athinës reagon për vdekjen në rrethana misterioze të të riut shqiptar Pëllumb Marnikollaj. Në një deklaratë thuhet se policia e Athinës ka nisur tashmë hetimet për vdekjen e lezhjanit 28-vjeçar.

Policia thotë se i ka dërguar të dhëna Prokurorisë së Athinës që më 11.08.2016 bashkë me ekspertizën mjeko-ligjore.

Marnikollaj u gjet i pajetë nga familjarët në morgun e varrezave në Athinë, pas disa ditësh kërkime. Autoritetet greke thanë se ai ishte hedhur nga dritarja e komisariatit të policisë kur i kishin komunikuar lajmin e arrestimit, ndërsa miq e familjarë pretendojnë të kundërtën, se lezhjani u rrah e masakrua deri në vdekje nga polcisët grek. Këtë e konfirmoi edhe ekspertiza mjekoligjore në Tiranë.

Ngjarja e rëndë ku humbi jetën në rrethana të dyshimta 28-vjeçari nga Lezha Pëllumb Marnikollaj, po ndiqet me përparësi nga autoritetet e Ambasadës Shqiptare në Athinë, të cilët thonë se jemi të vendosur dhe do ti shkojmë çështjes deri në fund, për zbardhjen e të vërtetës dhe do të kërkojmë me këmbëngulje nxjerrjen e fajtorëve para drejtësisë dhe ndëshkimin e tyre.

Viktima kishte një vendim gjykate detyrim paraqitje në polici dhe ai si zakonisht ishte paraqitur për të firmosur në polici duke respektuar ligjin dhe vendimin e gjykatës, me mendimin të rikthehej sërish në shtëpinë e tij, por ka ndodhur krejt ndryshe, Marnikollaj u paraqit për mos tu kthyer më kurrë.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: