TIRANE– Mjekët e maternitetit “Koço Gliozheni” në kryeqytet kanë zhvilluar paraditen e sotme një protestë të heshtur, kundër arrestimit të dy kolegëve të tyre, Dritan Decka dhe Helidon Klosi. Dy mjekët e maternitetit u shoqëruan mbrëmjen e së shtunës nga policia, pasi dyshohet se vonuan shërbimin për 35-vjeçaren shtatzënë Aida Çajka, e cila humbi jetën bashkë me foshnjën që priste të sillte në jetë.

Duke i cilësuar të nxituara veprimet e Prokurorisë dhe Policisë për ndalimin e dy mjekëve, ata thotë se kolegët e tyre duhet të hetohen në gjendje të lirë, pasi janë të pafajshëm.

Teksa sqarojnë edhe mënyrën sesi ka ndodhur ngjarja sipas tyre, ata thonë se në ato kushte do të kishin vepruar po njësoj, nisur nga simptomat e pacientes dhe zbatimi i protekollit.

Ndërsa shprehin dhimbje për humbjen e dyfishtë të jetës së nënës dhe foshnjës së saj, mjekët obstetër-gjinekologë thonë se duhet të shprehet ekspertiza mjeko-ligjore dhe analiza klinike e rastit, dhe më pas të veprohet.

DEKLARATA E MJEKEVE
Shprehim keqardhjen më të thellë për humbjen e jetës të së ndjerës Aida Çajka dhe fëmijës së saj që priste të sillte në jetë. Ndjejmë hidhërim të thellë për ngjarjen, hidhërim që ka prekur çdo punonjës së këtij institucioni. Ngushëllojmë familjarët për humbjen e rëndë dhe marrim pjesë duke ndarë dhimbjen me të afërmit e tyre.

Nëpërmjet kësaj deklaratë, ne mjekët osbtetër-gjinekologë shprehim indinjatën dhe mosaprovimin tonë për ndalimin e dy kolegëve tanë që akuzohen për neglizhencë në trajtimin e gruas shtatzënë. Edhe pse drejtësia nuk ka dhënë fjalën e saj përfundimtare duam të sqarojmë opinionin publik për mënyrë sesi ka rrjedhur ngjarja.

Vizita mjekësore është kryer në kohë të përshtatshme. Mjekët dhe infermierët pasi e kanë vizituar gruan shtatzënë, i kanë marrë gjakun dhe kanë kryer analizat e nevojshme. Por simptomat që paraqiste gruaja, vështirësi në frymëmarrje, dhimbje gjoksi dhe djersë, kërkonin ekzaminim nga mjekët e duhur për këtë situatë. Ndaj u dërgua në QSUT për të thelluar diagnozën. Transferimi është kryer në bazë të protokollit duke u shoqëruar gjatë rrugës me ambulancë me mjekë dhe infermierë shoqërues.

Ju sigurojmë se nga ne të gjithë mjekët që jemi këtu do të kishim bërë të njëjtën gjë sipas protokolleve që ne ndjekim, ashtu siç kanë bërë edhe kolegët tanë. Patologjia që i mori jetën asaj, nuk kishte të bënte me shkaqe që mjekët obstetër mund të kenë nën kontroll.

Duke pritur ekspertizën mjekësore, mendohet se ka një çarje të venës së gjakut që furnizon shpretkën. Kjo mund të rezultojë fatale në 75 % të rasteve për nënën dhe 90 % për foshnjën. Nuk jemi dakord me qëndrimin ndaj mjekëve duke i trajtuar si kriminele.

Secili prej nesh do të kishte vepruar njësoj duke ndjekur protokollin.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb