TIRANE- Veiz Veliu, nipi i 54-vjeçarit që humbi jetën në spitalin ‘Nënë Tereza’, akuzon policinë e komisariatit të Divjakës se kanë përdorur presion dhe dhunë ndaj të afërmit të tij.
Në një intervistë për ‘News24’, nga ambientet jashtë morgut në QSUT, ai pohon se arrestimi i Fadil Hoxhës kishte ndodhur paraditen e sotme, ndërsa ai ishte lajmëruar nga ora 12:30. Fill pasi kishte marrë njoftimin se 54-vjeçari ishte ndaluar, Veliu kishte shkuar në komisariatin e Divjakës dhe kishte paralajmëruar policinë për gjendjen e dajës së tij. Sakaq, të njëjtin qëndrim akuzues ndaj policisë ndajnë edhe familjarët e tjerë, të cilët kanë kërkuar nga organet hetimore zbardhjen e ngjarjes.
Kur e morët vesh ngjarjen?
Sapo mora njoftimin që u arrestua, shkova në policinë e Divjakës. I thash që mos ti bëni presion sepse ai është i sëmur. Me morën prej krahësh dhe më nxorën jashtë. I thash që mos i bëni presion. Rreth orës 12:00 kam shkruar në komisariat.
A kishte ilaçe me vete?
Nuk na pranuan në fillim. I çuam ilaçe në orë 18:30 të pasdites në komisariatin e Lushnjës, pasi atje e çuan ata të Divjakës.
Pse i jeni drejtuar ‘News 24’?
Ai është keqtrajtuar në polici. kërkojmë zbardhje nga Ministria e Drejtësi. Duam të dimë të vërtetën.
Pse u shoqërua Fadili?
U thash policisë që pse e morët në polici. Më thanë se ka djegur një pronë. Pastaj na thanë se kishte vjedhur 5 kokrra ullinj.
A është bërë autopsia?
Na kanë thënë se autopsia do bëhej dhe ne mendojmë se e kanë bërë tashmë.
(ed.me/BalkanWeb)