Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka akuzuar drejtpërdrejt kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha se në këmbim të mbylljes së protestës së Astirit, ka marrë një makinë më vlerë 130.000 euro nga një kontraktror.

“Pyetja ime për Lul Bashën është: Premtoi që do të bënte harakiri për Astirin, pse e la protestën? A mori një makinë 130 mijë euro nga një prej kontraktorëve? Unë jam gati ta provoj këtë. Kam fituar çdo gjyq për shpifje. Pra, nëse një nga biznesmenët jep makinë, ai e lë protestën. Pse e la protestën e Rrugës së Kombit? Çfarë mori që e la protestën? Pse e la protestën për Farkën? Sa vila mori tek fshatrat e të pasurve në Lundër? Sa vila mori? Deri dje, ai që bënte vila ishte oligark. Pse i lënë këta të gjitha protestat?”, pyeti Veliaj.

Nga njësia numër 2 në Tiranë, Veliaj i ka kthyer presidentit një përgjigje për teatrin Kombëtar pas akuzave te artikuluara nga ky i fundit pak ditë më parë.

“Dëgjova presidentin sot dhe tha do bëhet teatri aty ku ka qenë, siç ka qenë, bla, bla, bla. Muhabetet koti. Është i njëjti President që tha do e gdhijmë aty, s’ka për t’i ndodhur asgjë etj, etj. Pra, e dini sa i sinqertë është për t’i mbajtur fjalët… Po mendoja për vete. Kam, takuar kryetar bashkie që duan të bëhen President, por s’kam takuar kurrë një president që do të bëhet kryetar bashkie. Se nuk ndodh. Tirana do të ketë një Teatër të Ri, 9 herë më të madh e të kondicionuar, me banjë që funksionon, me dhoma zhveshje, me dhoma prove, me të gjitha kushtet moderne, për qytetin e 100 viteve të ardhshme”, deklaroi Veliaj.

Duke zgjedhur një batutë të artikuluar së fundmi nga kreu i Partisë se tij, kryetari i bashkisë tha se Partia Socialiste është shalqi me provë, ndërsa Partia Demokratike në 2100 ditë në opozitë ka krijuar një program vetëm me një fletë.

“E kishe shansin të përmirësoje dhe s’e bëre. Përkundrazi, i degjenerove shumë prej atyre projekteve, degjenerove mjekësinë, financat, falimentoi shtetin, degjeneruat punët publike, Tirana qelbej erë. Kur shikoj Lulin që doli me atë fletë thashë: Çuno, 2800 ditë në opozitë për të printuar një fletë?! Por, program është ajo që ne shohim, ajo që prekim, ajo që e transformojmë. Unë besoj se shalqi me provë është vetëm PS e Shqipërisë. Me zemër të kuqe, me gojë të ëmbël dhe me rezultat të thellë në gjithë territorin tonë. Ndaj, kudo që të jeni duke bërë fushatë, vetëm bëjeni 360 gradë dhe do keni mjaftueshëm për të thënë ku ka vënë dorë PS”, tha ai.
Duke u thënë të pranishmëve se në njësinë numër 2 një pallat do të rindërtohet nga themelet teksa në plan janë për t’u rindërtuar dy lagje të reja në Kombinat dhe në Kinostudio Veliaj u shpreh kështu: “Kur ra tërmeti të gjithë thane mirë që është Edi Rama, se ai do kthehej nga ana tjetër”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb