TIRANË- Kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane, për kryetar të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka mbyllur sot me anë të një mitingu fushatën elektorale për Njësitë 7, 9 dhe 11 në kryeqytet. Veliaj u ka bërë thirrje qytetarëve të votojnë, pasi edhe një votë e vetme bën diferencën.

“Edhe 6 ditë që të nisim punën për Tiranën tonë. Tirana është zemra jonë, e rrënuar këto 4 vjet. Tirana është historia jonë, e nëpërkëmbur këto 4 vjet. Tirana është e ardhmja jonë, do ta marrim në dorë. Këto ditë kemi takuar njerëz që janë të shqetësuar për Tiranën, që janë të zhgënjyer nga bashkia, që ndihen të tradhtuar. Miqtë e mi ka një lajm i mirë, ka ardhur koha jonë, ka ardhur ora jonë. Të dielën më 21 qershor, të gjithë bashkë”, deklaroi Veliaj.

Ai u bëri apel qytetarëve të mos ankohen për problemet me të cilat ndeshen çdo ditë por të zgjedhin drejtimin e duhur.

“Një apel për të gjithë ata që janë të mërzitur e zhgënjyer këto 4 vjet: Nëse zgjohet çdo mëngjes dhe i gjen plehrat tek dera mos u anko, por voto drejtimin e duhur. Një votë bën diferencën. Mos u ankoni për problemet në qytetin tuaj por zgjidhni drejtimin e duhur.

Sali Berisha dhe Lulzim Basha e kishin 4 vjet Tiranën, e pamë se çfarë ishin në gjendje të bënin. Ne nuk dorëzohemi do fitojmë”, tha kandidati i majtë për kryetar të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: