JALE- Nga Jala ku ka zhvilluar një takim me të rinjtë e FRESSH, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, u ka dhënë përgjigje disa pyetjeve me interes rreth projekteve transformuese të Tiranës, si dhe angazhimit të të rinjve në politikë. Duke u ndalur tek çështja e Teatrit Kombëtar, kryebashkiaku siguroi se pavarësisht vonesës së vogël, puna për ndërtimin e tij nuk do të ndalet.

“Në fillim patëm një histeri kolektive, kurse aktorët që punojnë aty ishin të shqetësuar. Presidenti i Republikës bëri një thirrje dhe tha: ‘Kryetari i Bashkisë të gjejë gjuhën me aktorët, që ne të ecim përpara’! Bëmë një takim me aktorët, një me urbanistët, një me arkitektët, një me të gjithë së bashku. U treguam projektin, në fund aktorët u bindën; pra ata që ishin grupi legjitim, që ka vetë interes, u bind. Pasi u bindën aktorët, politika e mbrapshtë, që nuk do që t’i shkojë asgjë mbarë Shqipërisë, tha: ‘Ou, na u prish plani, tani o burra ta marrim vetë kontrollin e kësaj dhe me ç’na ka ngelur nga ata të lodrave, ç’a kemi portale, hajde ta sabotojmë me çdo kusht! Projekti u sabotua vetëm për 40 ditë. Në shtator do të futemi në fazën e tretë, ku politika e mbrapshtë do të mundet sërish me votat që populli shqiptar i ka dhënë Tiranës dhe Shqipërisë për ndryshim”, tha Veliaj.

Ai renditi edhe një sërë nismash të mëparshme, të cilat në fillim hasën rezistencë, por në përfundim rezultuan të suksesshme dhe u vlerësuan. Veliaj theksoi se përkundër shumë politikanëve që me sjelljet e tyre ushqejnë sherrin, detyra jonë është të ushqejmë punën, dashurinë për vendin dhe për njëri-tjetrin.

“Filmi është i njëjtë, nuk ndryshon. Fillimisht ka kundërshtim, pastaj shumë energji për të shpjeguar vizionin, përqafim të vizionit nga ata që e kuptojnë se duam të sjellim ndryshim dhe refuzim nga ata që nuk duan të shohin jo vetëm ju një ditë të bardhë, por as vendi, sepse po pati vendi paqe, s’ka punë për ta. Për ata ka punë vetëm nëse vendi ka krizë dhe sherr. Ndaj, ka shumë politikanë që me sjelljet e tyre ushqejnë sherrin, ndërkohë detyra jonë është të ushqejmë punën, dashurinë për vendin dhe për njeri-tjetrin. Kjo është motoja jonë dhe ndaj do fitojmë”, tha ai, teksa shtoi se janë jo të pakta rastet kur partitë politike që nuk duan ndryshimin e marrin vetë pronësinë e protestës.

Gjatë bashkëbisedimit me të rinjtë, Veliaj theksoi se realiteti ndryshohet vetëm duke i prekur gjërat dhe se është puna dhe përpjekja ajo që bën diferencën. Ai tha se pavarësisht detyrave të secilit në FRESSH, në PS, në qeveri, në bashki, misioni është vetëm një: për ta shndërruar Tiranën dhe Shqipërinë një vend dinjitoz evropian.

“Është shumë e rëndësishme të kuptojmë se pavarësisht detyrave tona në FRESSH, në PS, në qeveri, në bashki, misioni është një: Ta bëjmë Tiranën, ta bëjmë Shqipërinë një vend dinjitoz evropian. Suksesi vjen pak a shumë me këtë formulë: Së pari, me dikë që vendos që do bëjë diçka, që do ndryshojë realitetin ku jeton dhe realitetin mund ta ndryshosh duke çuar njeriun në hënë ose duke u bërë këngëtari më i famshëm, ose duke qenë pjesë e një force politike që merr vendimet për ndryshimin e realitetit. E dyta, duhet të punojmë, nuk mjafton vetëm dëshira. Është puna dhe përpjekja ajo që bën diferencën”, deklaroi kreu i Bashkisë.

Kryebashkiaku tha se botën e ndryshojnë vetëm ata që zbresin në arenë, dhe sipas tij, S do të zbresë në arenë në Tiranë për të fituar dhe për të treguar se çfarë mund të bëjë akoma më shumë se sa është bërë deri më sot.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb