TIRANE- Situata në landfillin e Sharrës do të marrë shumë shpejt zgjidhje. Bashkia e Tiranës ka nisur zbatimin e projektit, i cili mundëson ndarjen e mbetjeve të riciklueshme para se ato të shkojnë për asgjësim. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi sot nga afër situatën në këtë landfill, ku dhe është njohur me mundësitë që ofron zbatimi i këtij projekti në terren. Ai bëri të ditur se për të shmangur problematikat e hasura deri më tani, qoftë në vendmbledhjen e mbetjeve në Sharrë, ashtu edhe me kazanët e plehrave nëpër qytet, Bashkia e Tiranës pas diskutimeve me operatorët e ndryshëm në fushën e riciklimit, ka arritur një marrëveshje për krijimin e një impianti në landfill për diferencimin e mbetjeve të riciklueshme, përpara se ato të shkojnë në zonën e asgjësimit në landfill.

“Më vjen shumë mirë që në landfillin e Sharrës kemi filluar një proces, të cilit i kishte ardhur koha, që është procesi i riciklimit. Procesi i riciklimit ka disa të mira: Së pari, na liron hapësirën në landfill. Duke hequr të gjitha materialet që mund të riciklohen siç është plastika, metali, dhe shumë materiale të tjera, na reduktohet hapësira që është e nevojshme në landfill. Kjo do të thotë që jeta e landfillit shtohet në momentin që ne fillojmë procesin e riciklimit”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Gjithashtu, ai bëri të ditur se është parashikuar që në këtë impiant të punësohen persona, të cilët deri më sot mblidhnin mbetje të riciklueshme nëpër kazanë, duke ndotur qytetin dhe krijuar vatra infeksioni. “E mira e dytë është punësimi i njerëzve në përputhje me të gjitha rregullat, të cilët paguajnë edhe sigurime shoqërore. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme ndaj dhe më vjen mirë që sot këtu punësojmë mbi 200 qytetarë”, theksoi Veliaj.

Por, kjo vetëm për fazën e parë të investimit, pasi brenda pak muajsh do të synohet që numri i të punësuarve të shtohet edhe me 200 persona të tjerë. Ndaj, kryebashkiaku Veliaj i ka bërë thirrje të gjithë atyre që sot sigurojnë jetesën e tyre duke ndërhyrë në koshat e mbeturinave, që ta lënë atë punë të paligjshme për t’u punësuar në këtë impiant të ri të ndarjes së mbetjeve.

“I ftoj të gjithë të vijnë dhe të punësohen këtu në Sharrë. Do të marrin një rrogë me sigurime shoqërore. Ne nuk mund t’i kthejmë të 4000 koshat e Tiranës në 4 mijë pika riciklimi. Kemi këtu një pikë riciklimi, ku besoj se të gjithë ata që kanë interes të punojnë dhe të marrin një rrogë të ndershme, duke u punësuar në riciklim, mund ta bëjnë këtu në këtë investim në landfillin e Sharrës”, tha Veliaj.

Sipas tij, përfitimet e qytetit nga ky projekt janë të shumta, por përfitimi i parë vjen në drejtim të menaxhimit të situatës së mbetjeve në pikën e grumbullimit të mbetjeve në Sharrë, dhe së dyti, për punësimin e qindra individëve që deri më sot endeshin në kazanët e qytetit për të siguruar jetesën. “Bashkia e Tiranës po ofrohet që t’i punësojë të gjithë këta njerëz në landfillin e Sharrës, duke arritur dy qëllime: Së pari, t’i shtojmë jetën landfillit, duke ricikluar mbetjet, nga ana tjetër sigurohemi që gjithë këta njerëz të punojnë dhe Tirana të mbetet e pastër. Kështu që, ftesa vlen për të gjithë ata që duan të sigurojnë një punë të ndershme, me një rrogë në këtë landfill sepse besoj se është mënyra më e mirë edhe për ta mbajtur qytetin pastër, edhe për të punësuar këto komunitete”, shtoi kryebashkiaku.

Në fazën e pare, si pasojë e zbatimit të këtij projekti, punësohen rreth 210-215 punëtorë, shoferë dhe fadromistë, kurse në fazën e dytë ky numër do shkojë në 400-450 punëtorë, kryesisht të komunitetit rom. Zbatuesit e projektit bënë të ditur se bëhet fjalë për një punësim të rregullt, ku punëtorët do të jenë të siguruar dhe konform të gjitha përfitimeve të tjera që ofron ligji. Zbatuesit e këtij projekti kanë bërë të ditur gjithashtu, se ka nisur puna për rekrutimet dhe të gjithë të interesuarve u janë dërguar ftesa për punë në shtëpitë apo vendbanimet e tyre. Kjo do bëjë të mundur që edhe kjo kategori sociale të mund të ketë një punë të rregullt për diferencimin e mbetjeve, duke shmangur në të njëjtën kohë shfrytëzimin e tyre, siç ka ndodhur deri më sot nga individë që në mënyrë të jashtëligjshme futen, shkatërrojnë, vjedhin gjithçka gjejnë në Sharrë dhe i shesin për interesa të tyre.
(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb