Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka vlerësuar drejtuesin e ri të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë Artur Metani.

Nën vlerësimin e Gjonajt, ky ishte kandidati me CV më të plotë dhe profesionalizmin më të lartë nga të gjitha emrat e dërguara nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.

Në emisionin “Kjo Javë”, ndër të tjera, Gjonaj nënvizoi se:

Nisida Tufa: Dua t’ju pyes pyes për dy çështje së fundmi znj.Ministre, të cilat janë akuza të opozitës. A keni një përgjigje ju lidhur me akuzat e opozitës për zgjedhjen e Artur Metanit në krye të ILD sepse e quan të paligjshëm emërimin dhe kapje të drejtësisë nga maxhoranca meqënëse bëhet fjalë për vëllain e znj. Gjermeni deputetes së PS?

Etilda Gjonaj: Nuk i kuptoj akuzat e PD të cilat shpeshherë janë të pabazuara, dhe nuk bëhët fjalë për pjesën e fakteve. Z. Artur Metani i zgjedhur nga Kuvendi ishte një nga kandidatët më të mirë profesonialisht, me një CV shumë më të pasur se kandidatët e tjerë që ishin në listën e ardhur nga KED. Dhe aq më tepër kuvendi ka respektuar vendimmarrjen e KED duke emëruar të parin që ka qënë i listuar. Megjithatë duke parë CV dhe eksperiencen e z. Metani me të cilin kam patur mundësinë edhe të punoj disa vite me të, dhe absolutisht kam respektin më maksimal përsa i përket aspektit të tij profesional, dhe eksperiencës së tij edhe në nivele drejtuese. Besoj që është një ndër emrat dhe do të jetë pikërisht ai që do të japi një vlerë të shtuar Inspektorit të Lartë të Drejtësisë si një institucion i ri. Padyshim nuk mundet të pengojmë dhe ndalojmë vëllezërit dhe motrat e çdo deputeti që të kandidojë. Kandidimi është i lirë dhe në fund të fundit nuk është Kuvendi ai që zgjedh dhe zgjodhi të pestin që ishte Artur Metani. Artur Metani ishte i renditur nga KED i pari. Kuvendi respektoi vullnetin e KED, një këshill i cili përbëhet nga gjyqtarë dhe prokurorë të të gjitha niveleve. Përsa kohë gjyqtarë dhe prokurorë vlerësojnë dhe duan këtë kandidat atëherë Kuvendi duhet te respektojë vullnetin e KED. Dhe unë besoj që PD ka ndër ta persona, deputetë ish-deputetë të cilët kanë vëllezër, motra gjyqtarë, prokurorë, por kjo nuk do të thotë që duhet të ndikohemi nga fakti i lidhjeve të ngushta familjare për të thënë nëse janë të pavarur apo janë të varur ne dhënien e drejtësisë.

Më herët, Kuvendi i Shqipërisë zgjodhi Artur Metanin me 98 vota pro në postin e Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, organ ky që konsiderohet si më i larti në sistemin e ri të drejtësisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb