DIBËR

Një tjetër ngjarje e rëndë është shënuar në Dibër. Dy vëllezër kanë vrarë me armë zjarri fqinjin e tyre.

Policia ka arritur të arrestojë një nga vëllezërit. Në pranga ka rënë shtetasi Muhamet Mera, 30 vjeç, banues në fshatin Luzni.

Ndërsa, është shpallur në kërkim edhe një autor tjetër i dyshuar, shtetasi me inicialet Altin Mera, 42 vjeç.

Dy vëllezërit, kanë qëlluar me armë zjarri automatik, shtetasin Xhetan Konesha. 50 vjeç.

Njoftimi i policisë:

Dibër

Plagosën me armë zjarri një shtetas, me pasojë vdekjen e tij, falë reagimit të menjëhershëm dhe profesional të Policisë, kapet dhe vihet në pranga një nga autorët e dyshuar të ngjarjes.

Shpallet në kërkim bashkautori tjetër i dyshuar.

Sekuestrohet edhe arma me të cilën dyshohet se autorët kanë plagosur me pasojë vdekjen, 50-vjeçarin.

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, pas marrjes së informacionit se në fshatin Luzni, Dibër, gjatë një konflikti për motive të dobëta, dy vëllezër kishin plagosur me armë zjarri fqinjin e tyre, menjëherë kanë organizuar punën dhe falë reagimit të shpejtë dhe profesional kanë bërë të mundur kapjen dhe prangosjen e njërit prej autorëve, shtetasin M. M., 30 vjeç, banues në fshatin Luzni, Dibër.

Ndërkohë vijon ndjekja dhe krehja e zonës për kapjen e bashkautorit tjetër të ngjarjes, shtetasit A. M., 42 vjeç, i cili pas ngjarjes është larguar në pyll.

Dy vëllezërit, gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë qëlluar me armë zjarri automatik shtetasin Xh. K., 50 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në spital.

Shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit automatik me të cilën dyshohet se dy vëllezërit kanë plagosur 50-vjeçarin.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të ngjarjes.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb