Prokurori i Shkodrës Vate Staka, është vetëm një hap larg karriges se anëtarit të këshillit të Lartë të Prokurorisë. Institucioni i ri i ngritur në kuadër të reformës në drejtësi, që konsiderohet si “qeveria” e prokurorëve funksionon me vetëm 10 anëtarë, që pas shkarkimit të Antoneta Sevdarit nga Kolegji i Posaçëm të Apelimit. Menjëherë pas këtij vendimi, kryeprokurorja e përkohshme hapi garën dhe ftoi të gjithë prokurorët e interesuar të garonin për vendin vakant në Këshill.

I vetmi që paraqiti kandidaturën brenda afatit ligjor dy javor, ishte Vate Staka, i cili gjatë garës së parë, nuk i bindi dot kolegët prokurorë t’i jepnin besimin për t’i përfaqësuar në Këshill, ndonëse e ka kaluar me sukses testin e Vettingut.

Në kushtet, kur i vetmi kandidat është i vetuar, prokurorja e përgjithshme e përkohshme pritet të thërrasë mbledhjen e prokurorëve, për ta votuar Stakën. Çka do të thotë që automatikisht, prokurori i Shkodrës do të jetë anëtar i Këshillit.

E kundërta mund të ndodhë, vetëm nëse dështon mbledhja e prokurorëve, për shkak të mosarritjes së kuorumit. Burimet zyrtare pranë institucionit qendror të akuzës thanë për News24 se po diskutohet që mbledhja të zhvillohet me datë 11 prill e për këtë pritet vetëm urdhri i firmosur nga Arta Marku.

Nëse Staka zgjidhet në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, atëherë reduktohet në 24, lista me kandidatët potenciale për prokurorinë e Posaçme. Të premten Këshilli i Lartë i prokurorisë miratoi listën me 25 kandidatët për SPAK dhe ua dërgoi institucioneve të Vettingut për t’i rivlerësuar me përparësi sikurse parashikohet në ligj. Në dokument renditej edhe emri i kandidatit Vate Staka, i cili njëherazi aspiron vendin vakant të qeverisë së prokurorëve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb