Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula përmes një mesazhi në ‘Facebook’ ka ngritur në fokus çështjen e prodhimit të autoveturave elektrike.

Teksa ka marrë shembullin e Maqedonisë së Veriut, e cila ka një fabrikë për prodhimin e këtyre autoveturave, shtron pyetjen se ku është Shqipëria.

REAGIMI I SULËS
?Maqedonia e Veriut me fabrikë që prodhon autovetura elektrike. Po Shqipëria ku është?
Pak ditë më parë në Maqedoninë e Veriut u nënshkrua marrëveshja për ndërtimin e fabrikës së prodhimit nga fillimi deri në fund të autoveturave elektrike. Investimi do të bëhet në një zonë të lirë ekonomike nga investitor shqiptar por që operon ndërkombëtarisht (Lazim Destani). Shteti i Maqedonisë së veriut do të ofrojë ndihmën e tij për realizimin e këtij investimi dhe që autovetura e parë elektrike e prodhuar aty të dalë në treg në 2024. Ndërkohë duhet të sjellim në vëmendje që në Maqedoninë e Veriut ndërtohen edhe pjesë për autoveturën luksoze “Maserati”. Investime të tilla të huaja i japin prestigj shtetit, vende pune të mirëpaguara për qytetarët e vendit.
Po Shqipëria ku ndodhet në këtë aspekt?
Në vendin tonë të gjithë raportet ndërkombëtare flasin për një përkeqësim të klimës së investimeve nga jashtë.
Indeksi i Investitorëve të Huaj, “Të bësh Biznes në Shqipëri në 2021-2022” i përkeqësoi pritshmëritë.
Rezultatet e indeksit të publikuara nga Shoqata e Investitorëve të Huaj (FIA) i vlerësuan pritshmëritë për situatën ekonomike të vitit 2022 me 44 pikë nga 45 pikë që i vlerësuan në vitin 2019 (vlerësimi është i lartë sa më afër vlerës 100 dhe është i ulët sa më afër vlerës zero).
Për çështje specifike të klimës së biznesit, investitorët e huaj dhanë vlerësim të dobët me vetëm 33 pikë për sistemin gjyqësor në vend, dhe vetëm 34 pikë për mungesën e transparencës nga ana enteve të qeverisë. Gjithashtu burokracia dhe mungesa e konkurrencës prej monopoleve u konsideruan shqetësime. Në vlerësimet për sistemimin e taksave, pikët më të ulëta i mori ndryshimi i shpeshtë i legjislacionit fiskal me vetëm 36 pikë dhe interpretimi që administrata tatimore u bën ligjeve te taksave.
Shqipëria është bërë atraktive vetëm për ata që kërkojnë të pastrojnë paratë. Pasuritë e paluajtshme kanë thithur investitorë të huaj në Shqipëri në 2021, ndërkohë vet kreu i SPAK është shprehur pak ditë më pare për VOA se ndërtimi/pasuritë e palujtshme është sektori preferuar nga bandat për të futur në treg paratë e aktivitetit kriminal.
Ndërkohë edhe për projektin e Portit të Durrësit procedurat janë me zero transparencë dhe dyshimet janë që po përdoret emri i një investitori jo perëndimor për të investuar paratë e aktiviteteve kriminale. Në Shqipëri ka gjithnjë e më pak investitor të huaj nga perëndimi apo nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Nuk do të ketë përmirësim ky tregues derisa në Shqipëri politikat fiskale të mos ndryshohen sipas oreksit ditor të ministrit të radhës apo të oligarkut që e ka sponsorizuar ministrin apo ministren.
Nuk do të ketë përmirësim të klimës ekonomike në Shqipëri derisa të zhduken monopolet dhe trajtimet preferenciale për klientët e qeverisë. Ligji për Investitorët Strategjik dhe Investimet Strategjike u planifikua për të thithur investitorë të huaj, brande ndërkombëtare por përfundoi për ti dhënë prona publike ministrave të qeverisë dhe njerëzve të zyrtarëve të lartë të PS.
Nuk do të ketë përmirësim të klimës së investimeve në Shqipëri derisa të marrë fund pandëshkueshmëria. Që investitorët që vijnë te mos largohen me këmbë të thyera.
Nuk do ketë përmirësim të klimës së investimeve derisa të marrë fund praktika e taksidarëve. Derisa çunat me tatuazhe e me varse të trasha prej floriri të mos mësyjnë në zyrat e bizneseve dhe ti bëjnë presion në këmbim të rryshfetit.
Nëse këto nuk ndryshojnë, shumë shpejt në Shqipëri do mbesin oligarkët, pensionistët dhe emigrantët nga vendet e treta.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb