Mijëra qytetarë janë mbledhur të premten në kryeqytetin Kosovës duke e kundërshtuar dënimin me burgim për krime lufte të katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ditë më parë.
Hashim Thaçi, Kadi Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, të cilët udhëhoqën UÇK-në gjatë luftës së saj kundër forcave serbe më 1998-99, u shpallën fajtorë më 16 shtator nga ajo që njihet edhe si Gjykata Speciale e Kosovës, për katër akuza për krime lufte.
Ata i kanë mohuar akuzat dhe kanë thënë se do të ankohen ndaj aktgjykimit të shkallës së parë në Apelin e Speciales.
Dënimi i tyre me burgim është kritikuar ashpër në Kosovë, ku ata shihen si heronj kombëtarë.
Protesta e sotme, e thirrur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, është vazhdimësi e protestave të mbajtur në vend qëkurse gjykata i shpalli ata fajtorë.
Në protestën që po mbahet në sheshet kryesore të kryeqytetit po marrin pjesë edhe politikanë të lartë, përfshirë kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, deputetë të kësaj partie dhe të Aleancës, përfshirë Ramush Haradinajn.
Protestuesit dëgjoheshin duke brohoritur “UÇK” dhe duke mbajtur në dorë pankarta me mbishkrime kundër vendimit të gjykatës.
Para protestës, Policia e Kosovës u bëri thirrje pjesëmarrësve t’i ndjekin udhëzimet e zyrtarëve policorë, të mos hedhin gjësende e mjete të forta dhe të mos përdorin maska.
Thaçi, ish-president i Kosovës, u ka bërë thirrje qytetarëve ta ruajnë qetësinë pas aktgjykimit dënues ndaj tij dhe bashkëluftëtarëve të tij.
Avokati i tij, Luka Mishetiq, përcolli mesazhin e Thaçit të enjten, ku ai falënderoi qytetarët për mbështetjen dhe e cilësoi vendimin e 16 shtatorit të padrejtë.
Për çfarë u dënuan ish-eprorët e UÇK-së?
Thaçi, ish-president i Kosovës, dhe Krasniqi, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës, u dënuan me nga 25 vjet burgim. Veseli, po ashtu ish-kryetar i Kuvendit, u dënua me 18 vjet burgim, ndërsa Selimi, ish-deputet, me 13 vjet.
Trupi gjykues i shpalli ata përgjegjës penalisht për krimet e luftës të ndalimit arbitrar të 385 njerëzve, trajtimit mizor të 49, torturimit të 303, dhe vrasjen e 96 njerëzve.
Sipas aktgjykimit, viktimat përfshinin shqiptarë të Kosovës që konsideroheshin kundërshtarë të UÇK-së, individë që pretendohej se kishin lidhje me Republikën Federative të Jugosllavisë ose autoritetet serbe, si dhe pjesëtarë të caktuar të pakicave etnike, përfshirë një numër romësh dhe serbësh.
Në anën tjetër, që të katërtit u shpallën të pafajshëm për gjashtë akuzat për krime kundër njerëzimit.
Apelimi
Avokati i Thaçit, Mishetiq tha se aktgjykimi dënues do të apelohet në Gjykatën e Apelit në Hagë, pasi pretendoi se ka gabime të rëndësishme ligjore dhe faktike që “kanë cenuar” që procesi gjyqësor “të jetë i drejtë”.
Mishetiq shkroi se përgjatë gjithë procesit gjyqësor, mbrojtja ka shprehur shqetësime për drejtësinë procedurale, përfshirë edhe “pyetjet e shumta të bëra nga anëtarët e trupit gjykues që nuk krijonin përshtypjen e paanshmërisë”.
Mbrojtja, sipas tij, argumentuan se gjetjet e trupit gjykues për fajësinë e provuar përtej dyshimit të arsyeshëm mbështeten në prova të pamjaftueshme.
Ndërkohë, edhe Prokuroria mund të ankohet në Apel pasi trupi gjykues i hodhi poshtë akuzat ndaj tyre për krime kundër njerëzimit.
Prokurorja e Specializuar Kimberly West ka thënë se zyra e saj do t’i shqyrtojë edhe këto pjesë të aktgjykimit. /rel/
