Bashkimi Evropian ka reaguar pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke u bërë thirrje të gjitha palëve dhe aktorëve në Kosovë e rajon që të tregojnë përmbajtje.
Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vite burgim, Kadri Veseli me 18 vite, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vite.
Në një përgjigje të zëdhënësit të BE-së, Brukseli tha se ka marrë shënim për aktgjykimin dhe theksoi se Dhomat e Specializuara të Kosovës duhet të lejohen të përmbushin mandatin e tyre pa ndërhyrje.
“Dhomat e Specializuara të Kosovës ushtrojnë drejtësi përmes zhvillimit të procedurave gjyqësore të drejta, të paanshme dhe të pavarura, bazuar në parimin e përgjegjësisë individuale penale”, thuhet në reagim.
BE-ja rikujtoi gjithashtu se personat e dënuar kanë të drejtë ta apelojnë vendimin përpara gjyqtarëve të pavarur të Apelit, në një Kolegj të veçantë.
“BE-ja u bën thirrje të gjitha palëve dhe akterëve, në Kosovë dhe rajon, për përmbajtje”, thuhet më tej në deklaratë.
Brukseli theksoi se Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar duhet të jenë në gjendje ta kryejnë mandatin e tyre pa ndërhyrje, duke nënvizuar se drejtësia duhet të ndjekë rrugën e saj, veçanërisht në interes të viktimave.
Në reagim, BE-ja i ka bërë thirrje autoriteteve që të garantojnë sigurinë e të gjitha komuniteteve dhe banorëve në Kosovë.
“BE-ja rikujton mbështetjen e saj të gjatë për DHSK-në si një institucion të themeluar me vendime të Kuvendit të Kosovës në vitet 2014-2015, që vepron brenda sistemit ligjor të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit.
