Sikurse kishte paralajmëruar SPAK ka ankimuar vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së parë, e cila rrëzoi kërkesën e akuzës për rigjykimin e ish-ministrit të mbrojtjes Fatmir Mediu, i cili konsiderohet një nga përgjegjësit kryesorë të tragjedisë së Gërdecit, të ndodhur në mars 2008 me 26 të vrarë dhe qindra të plagosur.

Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se sipas kërkesës së bërë nga Prokuroria e Posaçme gjyqtari Erjon Çela sipas tyre nuk e ka arsyetuar, pra nuk është bazuar drejt në ligj, në prova dhe në fakte dhe sipas tyre vendimi është i pabazuar dhe për këtë arsye ky vendim duhet të prishet dhe Fatmir Mediu duhet të gjykohet për akuzat e shpërdorimit të detyrës kryer në bashkëpunim dhe shpërdorimit të detyrës kryer në bashkëpunim me kuadrin komandues.

“Gjykata e Posaçme e rrëzoi kërkesën e SPAK-ut, duke arsyetuar se Prokuroria nuk e kishte kryer detyrën për 12 vite me radhë dhe tashmë kishin kaluar të gjitha afatet për t’u gjykuar ish-ministri. Por SPAK pretendon se janë të gjitha kushtet dhe mundësitë ligjore për marrjen të pandehur dhe gjykimin e ish-ministrit të Mbrojtjes.

Sipas SPAK, shkalla e parë nuk e ka zbatuar drejt ligjit dhe vendimi është icenueshëm, ndaj kërkon që Apeli i Posaçëm të prishë vendimin e Shkallës së Parë dhe të marrë të pandehur Fatmir Mediun dhe në këtë mënyrë të vijojë gjykimi për të, për të hedhur dritë mbi tragjedinë e rëndë.
Më herët për këtë tragjedi janë gjykuar ish-zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes, ish-drejtori i Meikos Ylli Pinari, ish-drejtori i fabrikës së demontimit të armëve Dritan Minxolli si dhe biznesmeni Mihal Delijorgji. I vetmi që i shpëtoi drejtësisë aso kohe ishte ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, për faktin se në kohën kur po gjykohej ai u vesh me mandatin e deputetit dhe për këtë arsye Gjykata e Lartë në shtator 2009 vendosi të pushojë çështjen me argumentin se ndjekja penale për shkak të imunitetit nuk mund të vijonte.
SPAK iu drejtua fillimisht Gjykatës së Lartë për të kërkuar revokim të vendimit të 2009 duke arsyetuar se imuniteti nuk përbënte më pengesë dhe në këto kushte kërkonte rihapjen e procesit. Gjykata e Lartë e shqyrtoi kërkesën e SPAK, por e gjeti veten jokompetente për shqyrtimin e saj dhe ndaj vendosi t’ia kalonte dosjen GJKKO, e cila sipas ndryshimeve ligjore është kompetente për veprat penale të kryera nga zyrtarët apo ish-zyrtarët e lartë. GJKKO e mori në shqyrtim këtë çështje dhe në dhomë këshillimi, pa praninë e palëve, por mbi bazën e dokumentacionit vendosi ta rrëzojë kërkesën e SPAK.
Sipas GJKKO, Prokuroria pas pushimit të çështjes nga Gjykata e Lartë i ka pasur të gjitha mundësitë t’i drejtohej kuvendit për heqjen e imunitetit të Fatmir Mediut, por nuk e ka ushtruar këtë të drejtë, pra nuk ka bërë asnjë lëvizje për ta marrë të pandehur. Kjo vlen deri në vitin 2012 kur është hequr dhe mandati i deputetit, pra nuk kishte mburojë të imunitetit për deputetët. Pas këtij viti thotë gjykata, Prokuroria edhe pse i ka pasur mundësit nuk ka bërë asnjë lëvizje dhe në këto kushte është parashkruar vepra penale e nuk mund të ushtrohet ndjekje penale ndaj tij.
Mbetet për t’u parë nëse Apeli do ketë tjetër vendim apo të njëjtë. Në shtator pritet të caktohet një datë për gjykimin e saj dhe duhet theksuar se nëse vendimi i Shkallës së Parë mbetet në fuqi, mund të konsiderohet që historia e Fatmir Mediut dhe përballja e tij me drejtësinë shqiptare është një kapitull i mbyllur. Nëse Apeli do ta prishë vendimin e Shkallës së Parë do duhet të shihen lëvizjet e SPAK dhe mënyra se si do të shkojë ky proces, nëse do ketë rrugëtim të përballjes së Fatmir Mediut me drejtësinë shqiptare”, raportoi Lala.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: