Qeveria parashikon që disa pasuri të paluajtshme të sekuestruara pasi janë vënë me aktivitet të paligjshëm, t’i kalojnë pushtetit vendor për përdorim, si banesa sociale me qira.

Vendimi i botuar në Fletoren Zyrtare përcakton se në rast se këto prona të sekuestruara, destinohen të bëhen pjesë e fondit të banesave për të pastrehët, pushteti vendor duhet t’i kërkojë mbështetje Ministrisë të Financave për administrimin e tyre ose kalimit të pronësisë.

Bashkitë pasi kanë verifikuar mundësinë për përdorim strehimi për të pastrehët, të pronave të sekuestruara duhet t’i drejtohen me shkrim Ministrisë të Financave. Agjencia e pasurive të Sekuestruara në varësi të kësaj ministrie kërkesën e pushtetit vendor e paraqet te Komiteti Komitetit Ndërinstitucional për Masat Kundër Krimit të Organizuar. Pasi kërkesa miratohet nga ky institucion i kalon për shqyrtim Këshillit të Ministrave.

Nëse pronat e konfiskuara do të administrohen nga pushteti vendor, si banesa sociale me qira do të shënohen në regjistrin e ngritur nga bashkitë. Për çdo pronë do të ketë dhëna që nga planvendosjen e tyre, planimetria e apartamenteve, informacionin për gjendjen teknike, vlera e investimit fillestar, etj.

Si do të administrohen nga pushteti vendor

-Njësia e vetëqeverisjes vendore, pasi ka verifikuar mundësinë e përdorimit për strehim social të objektit të konfiskuar, i drejtohet me kërkesë me shkrim ministrisë përgjegjëse në varësi të së cilës është Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara e të Konfiskuara;

-Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara e të Konfiskuara përgjigjet për përgatitjen e dokumentacionit përkatës, bazuar në kërkesën e njësisë së vetëqeverisjes vendore dhe për paraqitjen e këtij dokumentacioni pranë Komitetit Ndërinstitucional për Masat Kundër Krimit të Organizuar;

– Pasi merret miratimi nga Komiteti Ndërinstitucional për Masat Kundër Krimit të Organizuar, ministria përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për strehimin, i propozojnë Këshillit të Ministrave kalimin e objektit në pronësi të njësisë së vetëqeverisjes vendore përkatëse;

– Në rastet kur prona destinohet të bëhet pjesë e fondit publik të banesave sociale me qira, por mbetet në pronësi të pushtetit qendror, objekti kalon në administrim të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara e të Konfiskuara.

-Mbështetja financiare i akordohet Entit Kombëtar të Banesave për krijimin ose shtimin e fondit publik të banesave sociale në pronësi të pushtetit qendror, kur ky i fundit aplikon për mbështetje financiare nëpërmjet ndërtimit ose përshtatjes së objekteve ekzistuese, sipas studimit të fizibilitetit të hartuar nga Enti Kombëtar i Banesave dhe kur ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me njësinë e vetëqeverisjes vendore, e cila parashikon, ndër të tjera: a) kalimin e pronësisë së truallit, pronë shtetërore ose në pronësi të qeverisjes vendore, ose të objektit ekzistues, së bashku me truallin në emër të Entit Kombëtar të Banesave, me qëllim investimin në banesa sociale me qira; b) bashkëfinancimin nga të ardhurat e Entit Kombëtar të Banesave për realizimin e projektit; c nivelin e qirasë, që duhet të mbulojë kthimin e pjesës së investimit të realizuar me të ardhurat e Entit Kombëtar të Banesave, si dhe kostot për administrimin e mirëmbajtjen e banesave sociale;ç) subvencionimin nga njësitë e vetëqeverisjes vendore të qirasë për familjet që do të strehohen, sipas aftësisë së tyre përballuese.

-Njësitë e vetëqeverisjes vendore krijojnë regjistrin e fondit të banesave sociale në pronësinë e tyre, që përdoren për t’u dhënë me qira. Për çdo banesë sociale regjistri përmban: a) informacionin gjeohapësinor të vendndodhjes së banesave, në përputhje me përcaktimet e vendimit nr. 359, datë 11.5.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e dokumentit “Standardet shtetërore për specifikimet teknike të informacionit gjeohapësinor në Shqipëri –Tema: Ndërtesat”; b) planvendosjen e tyre; c) planimetrinë e apartamenteve; ç) informacionin për gjendjen teknike të çdo apartamenti; d) vlerën e investimit fillestar; dh) vlerën e investuar për rehabilitimin ose rinovimin e tyre; e) vitin kur ka përfunduar ndërtimi; ë) vitin kur janë bërë punimet e rinovimit; f) subjektin që është ngarkuar ose kontraktuar për menaxhimin e tyre.

-Në një faqe të posaçme të regjistrit të fondit të banesave sociale hidhen të dhënat për banesat në pronësi të pronarit social, për aq kohë sa ato janë në përdorim si banesa sociale me qira vetëm për efekt të evidentimit të qëllimit të tyre dhe të lehtësimit të menaxhimit e mbikëqyrjes së kontratës së qirasë, për të cilën paguhet subvencioni nga njësia e vetëqeverisjes vendore, nga buxheti i shtetit ose nga të dyja bashkë. Krahas informacionit të parashikuar në pikën 8, të këtij vendimi, për banesat në pronësi të pronarit social evidentohen edhe të dhënat që lidhen me kontratën e lidhur me pronarin e tyre dhe kushtet kryesore kontraktore, të tilla si: afati e vlera e qirasë. Këto banesa vazhdojnë të mbeten në pronësi të pronarit social dhe nuk bëhen pjesë e fondit publik të banesave sociale që janë në pronësi të njësive të vetëqeverisjes vendore. Pronarët socialë detyrohen që, me anë të personave përgjegjës të autorizuar nga drejtuesi i tyre, të depozitojnë informacionin me të dhënat e parashikuara në këtë pikë të këtij vendimi, pranë njësisë së vetëqeverisjes vendore./Monitor

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: