Policia e Shtetit iu bën thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve të bëjnë kujdes në rrugë, për shkak të motit të keq me reshje dëbore e ngrica që ka përfshirë vendin.
Policia iu kërkon shoferëve të vendosin rripin e sigurimit, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të automjetit, si dhe të ndjekin udhëzimet e uniformave blu dhe të autoriteteve të tjera shtetërore.
Njoftimi i policisë:
Nisur nga moti i keq në të gjithë vendin, me reshje shiu dhe dëbore, Policia e Shtetit apelon edhe njëherë për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të bëjnë kujdes, të moderojnë shpejtësinë, të mos kryejnë parakalime të gabuara, të vendosin zinxhir në akset rrugore ku ka prezencë të reshjeve të dëborës.
Vendosni rripin e sigurimit, mos përdorni celularin gjatë drejtimit të automjetit dhe ndiqni udhëzimet e Policisë Rrugore dhe të autoriteteve të tjera shtetërore.
Mos qarkulloni pa kontrolluar gjendjen teknike të mjetit, gjendjen dhe presionin e gomave përpara së të qarkulloni në rrugë me shi; ulni në maksimum shpejtësinë në rrugët ku ka prezencë të shtuar të ujit apo të borës në rrugë, rrisni ndjeshëm distancën e sigurisë midis mjeteve, nga 20% në 80%; dhe shmangni frenimin ose lëkundjen papritmas, por ngadalësoni gradualisht;
Policia Rrugore ka rritur prezencën e shërbimeve të saj në rrugë për ti ardhur në ndihmë çdo drejtuesi mjeti në nevojë. Drejtuesit e mjeteve të mos vijonë lëvizjen në rast se hasin vështirësi në qarkullim për shkak të reshjeve të dëborës dhe shiut, por të kontaktojnë menjëherë në numrin pa pagesë 112 e në Komisariatin Dixhital për të marrë udhëzimet e nevojshme dhe për t’ju ardhur në ndihmë shërbimet e Policisë Rrugore dhe ato të autoriteteve të tjera shtetërore.
(BalkanWeb)