Në derbi arritën të shmangnin humbjen në limite, por sfida me Tiranën la jo pak pasoja, aq sa trajneri Veselinovic e ka të vështirë të numërojë mungesat për takimin kundër Egnatias. Shifrat flasin në favor të “demave” pasi në dy përballjet këtë sezon kanë arritur t’i marrin 4 pikë, por trajneri i Partizanit nuk preferon të kthej kokën pas, në sytë e tij Egnatia është një ekip shumë i fortë:

Veselinovic: E respektojmë ekipin e Egnatias , ata janë kampionët në fuqi. Në këtë sezon ata po luajnë shkëlqyeshëm. Janë një skuadër kompakte , luajnë prej shumë kohësh bashkë dhe kanë automatizime në lojë. Ne duhet të mendojmë dhe për veten. E kemi përgatitur këtë përballje si çdo ndeshje dhe ekipi që do të zbresë nesër në fushë do të jetë ekipi më i mirë i Partizanit për këtë moment.

Nesër do të keni mungesa të rëndësishme –

Veselinovic: Në qoftë se do të filloja të numëroja lojtarët e skualifikuar me kartonë apo të dëmtuar do të humbisja shumë kohë. Lojtarët që janë të gatshëm për të luajtur meritojnë respekt maksimal. Jam i sigurtë që lojtarët të cilët do të zbresin në fushë ndaj Egnatias do të jenë të motivuar dhe të guximshëm.

Faza “Final Four” –

Veselinovic: Së pari ne respektojmë çdo kundërshtar dhe si gjithmonë i marrim hap pas hapi. Eshtë gabim në futboll nëse mendon se duhet të ruash diçka dhe në këtë mënyrë e vendosni veten në pozicion mbrojtjeje. Nuk duhet të mendojmë në këtë mënyrë. Ne gjithmonë duhet të kemi një synim dhe ndeshja e nesërme ka synimin e saj. Përsa i përket synimeve afatgjata do ti mendojmë për më vonë, ne mundohemi të fokusohemi vetëm te synimet afatshkurtër.

Në dy ndeshjet me Egnatian koleksiononi një fitore dhe një barazim –

Veselinovic: Çdo ndeshje është një histori më vete. Në dy ndeshjet e para në të cilat kemi arritur rezultate pozitive mund të jetë si një bisedë e këndshme, por nuk është se ndihmon për ndeshjen e nesërme. Nesër kemi detyra të reja dhe duhet të përgjigjemi pozitivisht.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb