Në Spanjë dhe jo vetëm, edhe këtë herë, Atletico-Barça prodhoi një debat të fortë në lidhje me gjykimin, ku në qendër të kritikave përfundoi gjyqtari Clement Turpin, me francezin që akordoi një karton të kuq për Eric Garcia. Ky detaj, por jo vetëm, nuk u pritet mirë nga lojtarët dhe stafi i Barçës. Shumë i ashpër në deklaratën e tij ishte kapiteni Raphinha, i cili edhe pse jo në fushë, nuk i kurseu sulmet ndaj gjyqtarit të takimit:

“Për mua ishte një ndeshje e vjedhur. Nuk flas këtu vetëm për kartonin e kuq. Vendimet e marra nga trupa arbitrare ishin të pabesueshme, mbase arbitri kishte frikë që Barcelona të fitonte”, u shpreh Raphinha, një deklaratë shumë e fortë që pritet të ketë pasoja.

Ndryshe nga Raphinha, trajneri Hansi Flick këtë herë nuk u ndal te gjykimi, por te ajo që ekipi i tij dha në fushë: “Të dyja ndeshjet u zhvilluan në mënyrë të shkëlqyer nga ekipi ynë, ata thjesht shënuan një gol më shumë. Provuam gjithçka në këtë sfidë, kishim shumë raste për të shënuar edhe golin e tretë brenda pjesës së parë, më pas pësuam, kështu shkoi ky takim, nuk na mbetet gjë tjetër vetëm ta pranojmë. Çfarë do t’i them tifozëve? Tifozëve i them se ne jemi Barcelona. Çdo sezon futemi në fushë për të fituar Champions League. Jemi një skuadër e re, duhet të përmirësojmë dhe do ta bëjmë”, theksoi Hansi Flick.

I lumtur për këtë triumf ndaj Barcelonës u shfaq Diego Simone, me trajnerin e Atletico-s që tani me drejtë sheh më larg: “Jam prej 14 vitesh këtu, kjo është hera e katërt që shkojmë në gjysmëfinalen e Champions League. Kishim përballë një skuadër fantastike, që luan një futboll të bukur dhe të shpejtë. Nuk është e lehtë të mbrohesh kundër tyre. Edhe pse kam 14 vite këtu, vijoj të kem emocione kur shoh që njerëzit japin zemrën në fushë. A kam një ndjesi pozitive këtë sezon? Po, e ndjej, diçka magjike mund të ndodh këtë sezon”, u shpreh Diego Simeone.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb