Policia spanjolle ka goditur një organizatë kriminale shqiptare, e cila kishte shtrirë aktivitetin e saj në Katalonjë dhe Costa del Sol. Në kuadër të operacionit janë arrestuar 15 persona, 12 prej të cilëve janë dërguar në paraburgim, ndërsa janë sekuestruar më shumë se 2.7 tonë kokainë, armë dhe dhjetëra automjete luksoze.

Një nga zbulimet më të rëndësishme të hetimit ishte një vilë luksoze në Sant Just Desvern, e marrë me qira për disa ditë. Edhe pse shtëpia kishte pishinë dhe ambiente të mëdha, brenda saj nuk kishte pothuajse asnjë mobilie. Sipas mediave spanjolle, ajo përdorej si një “guardería”, pra si vend ku droga fshihej përkohësisht përpara se të transportohej më tej në Evropë.

Në garazhin e vilës, agjentët zbuluan 1.351 kilogramë kokainë të pastër. Sipas hetuesve, banesa ishte marrë me të dhëna të një personi me origjinë shqiptare, i cili dyshohet se ishte përdorur si person fasadë.

 

Sipas Policisë Kombëtare, grupi nuk merrej me sigurimin apo shitjen e kokainës, por me transportimin e saj nga jugu drejt veriut të Spanjës.

Droga transportohej me makina të nivelit të lartë, mes tyre edhe një Audi RS8. Automjetet lëviznin me shpejtësi shumë të larta deri në 200 km në orë, sipas hetuesve, në disa raste arrinin të përshkonin rreth 2 mijë kilometra brenda një dite.

Për të shmangur kontrollet, automjetet që transportonin drogën shoqëroheshin nga katër ose pesë makina të tjera. Disa lëviznin përpara dhe të tjera pas automjetit kryesor, duke monitoruar rrugën dhe praninë e policisë.

Edhe gjobat e radarëve nuk dukeshin se i shqetësonin. Automjetet shpesh rezultonin të regjistruara në emra personash të tjerë, përfshirë persona në kushte të cenueshme sociale, të cilët dyshohet se përdoreshin si persona fasadë.

Hetuesit kanë zbuluar gjithashtu kompani të lidhura me aktivitetin e automjeteve, të cilat dyshohet se shërbenin për pastrimin e parave, sigurimin e makinave të paregjistruara dhe krijimin e kontratave të falsifikuara të qirasë.

Sipas policisë spanjolle, organizata kishte një disiplinë të fortë dhe zbatonte një kod heshtjeje. Anëtarët e saj shmangnin komunikimet elektronike dhe drejtuesit e grupit udhëtonin nga Marbella në Barcelonë vetëm për takime të shkurtra ballë për ballë.

Policia thotë se grupi dyshohet se kishte qenë aktiv që prej vitit 2016 dhe emrat e anëtarëve të tij ishin shfaqur në disa hetime të mëparshme.

Përveç 2.7 tonëve kokainë të sekuestruar në Sant Just Desvern dhe Málaga, autoritetet kanë sekuestruar rreth 800 gramë tusi, dy armë zjarri të shkurtra dhe 29 automjete luksoze. Gjithashtu janë ngrirë kripto-asete, produkte financiare dhe pasuri të paluajtshme.

Hetimi nisi vitin e kaluar, pas një informacioni të marrë nga autoritetet kolumbiane për një ngarkesë kokaine që po drejtohej drejt Spanjës.

Në konferencën për shtyp ku u prezantua operacioni, delegati i qeverisë spanjolle në Katalonjë, Carlos Prieto, deklaroi se policia i ka dhënë fund një grupi me “shumë burime dhe shumë kapacitet logjistik”.

“Në Katalonjë nuk ka asgjë jashtë mundësive të policisë”, deklaroi Prieto.

Sipas burimeve policore, grupi ishte bërë i njohur në qarqet kriminale si transportues i besueshëm i drogës. Megjithatë, hetimi nuk ka vendosur lidhje të drejtpërdrejtë mes këtij grupi dhe kokainës që hyn në portin e Barcelonës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb