Kombëtarja shqiptare e veteranëve zhvilloi ndeshjen miqësore ndaj përfaqësueses së veteranëve të Kosovës, në kuadër të aktiviteteve për 10-vjetorin e pranimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA.

Ky event i veçantë u zhvillua më 3 maj 2026 në Prishtinë dhe Hajvali, duke bashkuar figura të njohura të futbollit nga të dy vendet në një atmosferë festive dhe simbolike.

Programi nisi me ceremoninë zyrtare të hapjes, ku morën pjesë drejtues të futbollit nga të dy vendet, për t’u vijuar më pas me aktivitete sportive dhe ndërvepruese.

Kulmi i këtij eventi ishte ndeshja miqësore ndërkombëtare mes veteranëve të Kosovës dhe Shqipërisë, e zhvilluar në fushën e kompleksit të FFK-së. Pas një përballjeje të baraspeshuar dhe me rivalitet sportiv, fituesi u përcaktua përmes gjuajtjeve të penalltive, ku më të saktë u treguan veteranët e Kosovës.

Ky aktivitet përfaqësoi jo vetëm një festë të futbollit, por edhe një moment të rëndësishëm bashkimi dhe bashkëpunimi mes dy federatave, duke forcuar më tej lidhjet sportive dhe miqësore mes Shqipërisë dhe Kosovës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb