KOSOVË

Mbështetësit dhe simpatizantët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë nisur festën në Kosovë edhe pse nuk ka përfunduar ende zyrtarisht numërimi i votave.

Me këngë shqiptare dhe me flamuj kuq e zi,  simpatizantët e VV-së, vijojnë festën me brohorima dhe valle në sheshin “Skënderbej” në Prishtinë.

Ndërkohë qëndrimi i tyre tregon se Vetëvendosja mund të jetë fituesja e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë. Diferenca mes VV dhe LDK aktualisht është mbi 6 mijë vota. Nga ana tjetër, kandidatja për kryeministre nga radhët LDK-së, Vjosa Osmani tha se sot nuk mund të shpallet fituesi, pasi duhet më parë të pritet numërimi i të gjitha votave.

“Në radhë të parë dua të falënderoj të gjithë qytetarët për pjekurinë e treguar në këtë proces zgjedhor e në veçanti për pjesëmarrjen masive që rezultoi me largimin e partive që deri tani kanë keqqeverisur e me fitoren e madhe të opozitës. Dua të falënderoj në veçanti përkrahësit e LDK-së për mbështetjen e madhe e që na dhanë mundësinë që për vetëm një muaj ta ngrisim partinë tonë e ta rikthejmë fuqishëm. Për sonte pajtohemi që s’mund të shpallet fituesi meqenëse do të presim deri në numërimin e votës së fundit. Rezultati do të përcaktohet nga mërgata dhe votat me kusht siç duket”-tha  ajo.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: