TIRANE- Kolegji i Posaçëm Apelimit ka marrë në shqyrtim çështjen e dorëzuar nga Komisioneri Publik, ku kërkohet që ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla t’i nënshtrohet vettingut.

“Në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit (KPA) është regjistruar çështja (Nr1/2018 JR, datë 27.03.2018 që i përket “ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit Nr 2., datë 16.02 2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit z.Adriatik Llalla.

Sot, në datën 03.04. 2018 në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit u hodh shorti për caktimin e trupit gjykues, kryesuesin e këtij trupi dhe relatorin e çështjes”, thuhet në njoftimin nga KPA.

Kujtojmë se ky proces ndaj Llallës u ndërpre nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pas dorëheqjes së tij nga e drejta për t’u emëruar gjyqtar Apeli, dhe rrjedhimisht nga i gjithë sistemi i drejtësisë.

Verdikti u mor nga trupi gjykues i KPK me kryesues Roland Ilia, dhe anëtarët Pamela Qirko dhe Olsi Komçi. Por, ky është rezultat i njëjtë sikurse edhe ai i një trupe tjetër gjyqësore të KPK, e cila po për shkak të dorëheqjes si gjyqtar Kushtetues i ndërpreu vettingun edhe Besnik Imerajt.

Largimi i Llallës nga drejtësia solli menjëherë reagimin e ambasadorit amerikan, i cili në një postim në Twitter kujtonte se askush nuk mund t’i shpëtonte drejtësisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb