VETTING/ Çfarë e lidh Ballukun me Inceneratorët?

Në 2 nëntor 2021, do të fillonin punimet nga Komisioni Hetimor për Inceneratorët, i cili deri në shkurt 2022 do të zbulonte evidenca dhe dëshmi, që hodhën dritë mbi aferën e shekullit me fondet publike.

Në këtë komision, i cili drejtohej nga deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, personat e vetëm që u morën në pyetje nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ishin ministrja Belinda Balluku dhe Sekretarja e Përgjithshme, Viola Haxhiademi.

Por si nisi historia e inceneratorit të Fierit dhe të Elbasanit?

Në dhjetor 2014, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, nën drejtimin e Lefter Kokës do të firmoste kontratën koncesionare “Për Ndërtimin dhe Administrimin e Impiantit të Trajtimit të Mbetjeve Urbane të Qarkut të Elbasanit dhe Prodhimin e Energjisë” me kompaninë “ALBTEK ENERGY”, në pronësi të Stela Gugalljas.

Gati dy vite më pas, në tetor 2016, përsëri ish ministri Lefter Koka do të firmoste një tjetër kontratë koncesionare për ndërtimin, administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane në Fier dhe prodhimi i energjisë, por kësaj radhe me kompanitë “Integrated Technology Services” dhe “Energy 2 s.r.l”, të cilat do të themelonin kompaninë “Integrated Technology Waste Treatment Fier”.

Në dallim nga impianti i Elbasanit, inceneratori i Fierit ishte më i madh si projekt dhe përfshinte dhe trajtimin e ujërave të ndotura.

Sot që flasim inceneratorët nuk kanë prodhuar energji elektrike, i cili është një detyrim në kontratat e firmosura me Qeverinë Shqiptare. Ky fakt konfirmohet edhe nga raportet mujore të Entit Rregullator të Energjisë, të cilat vetëm për inceneratorin e Elbasanit deklarojnë se ka prodhuar energji elektrike vetëm në muajin gusht 2022.

Gazetarët e “Vetting” sjellin pamjet ekskluzive në brendësi të Inceneratorit të Fierit, të cilat dëshmojnë se rreth 33 milionë euro janë shpërdoruar për një projekt fantazmë.

Por në ambientet e brendshme të inceneratorit gjendeshin shkarkime mbetjesh urbane të shpërndara, të cilat përforcuan faktin se inceneneratori i Fierit nuk funksionon.

Sipas drejtorit të Pastrimit të Bashkisë Fier, incenatori i Fierit është sekuestruar nga SPAK dhe administratori i tij është vendosur po nga SPAK.

Sipas deputetëve të opozitës, rasti i Fierit paraqet rrezik për ambientin.

“Sot që flasim inceneratori është jashtë funksionit. Është një bombë ekologjike e cila zgjerohet me gropat rreth incenatorit, duke groposur të gjitha mbet etjet urbane”, deklaron deputeti i Qarkut Fier, tha Luan Baçi për “Vetting”.

Shqetësimet nga deputeti i PD-së në zonën e Fierit konfirmohen edhe nga eksperti i mjedisit, Rodion Gjoka, i cili zbulon detaje të tjera për menaxhimin e mbetjeve.

“Në rastin shqiptar kemi pasur pa frikë të regjistruara, mbi 15 apo 16 raste kur mbetjet janë djegur të hapura mbi landfill, pra jo me Incenerator dhe ka pasur krijimi të këtyre komponentëve kancerogjen që janë çliruar në mjedis të hapur. Një nga këto është edhe rasti i djegies së landfillit të Fierit”, tha eksperti Gjoka për “Vetting”.

Gjoka thekson se Shqipëria e ka zvogëluar aftësinë ricikluese të mbetjeve pothuajse në minimumin e saj historik.

Në dhjetor 2021, SPAK sekuestroi inceneratorin e Elbasanit dhe vetëm disa muaj më pas, në mars 2022 edhe inceneratori i Fierit pësoi të njëjtin fat të sekuestrimit  me vendim të  Gjykatës së Posaçme.

Nga hetimet e SPAK zbulohet se janë pasqyruar shërbime, të cilat nuk janë kryer në shumën 4 milionë euro, vlerë e paguar nga Autoriteti Kontraktor dhe e përfituar përmes mashtrimit nga kompania koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k.

E njëjta gjë ka ndodhur dhe me Inceneratorin e Elbasanit për transaksione fiktive faturash, por në dallim nga ai i Fierit, impianti i Elbasanit ka përfunduar plotësisht si ndërtim i godinës.

Por, cili ishte roli i Ministres Belinda Balluku te Inceneratorët?

Në dhjetor 2017, kompetencat për kontratën e impiantit të përpunimit të mbetjeve për Fierin dhe Elbasanin, i kaluan Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës.

Pra, përgjegjësitë për pagesat e kryera drejt inceneratorit të Elbasanit dhe Fierit në një kohë që punimet nuk ishin kryer bien mbi ish-ministrin Damian Gjiknuri dhe ministren Belinda Balluku.

Monitorimi i këtyre projekteve me vlerë mbi 60 milionë euro nga Ministria e Mjedisit tashmë do t’i kalonin Ministrisë së Infrastrukturës, ashtu edhe pagesat për realizimin e impianteve.

Por gjatë 5 viteve në krye të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku nuk ka dhënë asnjëherë shpjegime të qarta për pagesat që janë kryer për Inceneratorin e Fierit, përveçse në Komisionin Hetimor të zhvilluar në  shkurt 2022.

Sipas deputetes Jorida Tabaku, për tre vite janë paguar fondet nga ana e buxhetit të shtetit rreth 28 milion euro, për një Incenerator që nuk ekziston.

Madje nga Komisioni Hetimor, ministrja Balluku është vënë në dijeni se pagesat nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë janë realizuar për punime të pakryera drejt kompanive private.

Në deklaratën e saj në Komision, zv.kryeministrja nuk mbajti asnjë përgjegjësi për pagesat e kryera për punime të pakryera, për Inceneratorin e Fierit.

Ashtu si ministrja, edhe Sekretarja e Përgjithshme, Viola Haxhiademi do të shmangnin përgjegjësitë, duke ia lënë supervizorit, i cili në këtë rast ishte përzgjedhur nga kompanitë koncesionare.

Por audituesit e KLSH-së në Ministrinë e Financave zbulojnë detaje të reja përsa i përket buxheteve për inceneratorët. Sipas raportit, Ministrja Belinda Balluku ka paraqitur kërkesa për shtesa në buxhet duke tejkaluar afatet.

Sipas KLSH në lidhje me shtesat MIE INCENERATORËT

“Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) ka paraqitur kërkesa buxhetore shtesë në tejkalim edhe të vetë planifikimit të fazës së parë.

Gjithashtu kërkesat buxhetore të fazës së dytë rezultojnë në tejkalim të tavanit të miratuar me VKM nr. 440, datë 22.07.2021, si dhe nuk ka prioritarizuar këto kërkesa nga ajo më e domosdoshme dhe më emergjente. Për programet “Mbështetje për Energjinë” dhe “Menaxhimi i mbetjeve urbane” kërkesat buxhetore në fazën strategjike janë dorëzuar në tejkalim të afatit të përcaktuar në Udhëzimin nr. 8, datë 26.02.2021 “Për përgatitjen e Programit Buxhetor Afatmesëm 2022-2024”– thuhet ne raportin e KLSH.

Ajo që ka ngelur nën mjegull nga i gjithë procesi është fakti që edhe pas sekuestrimit të Inceneratorit të Fierit, Balluku ka vijuar të kryejë pagesa për kompaninë “Integrated Technology Waste Treatment Fier”.

Në nëntor të vitit 2022, në Parlament zv.kryeministrja Balluku do të justifikohej se pagesat për Inceneratorin e Fierit u kryen pasi vazhdonte përpunimi i mbetjeve. Ndërkohë sipas vëzhgimit në terren inceneratori nuk punon.

Duhet theksuar se pagesat për inceneratorin e Fierit përfshijnë seleksionimin, ndarjen e mbetjeve, përpunimin dhe incenerimin.  Por nga terreni zbulohet se  mbetjet groposen duke mos kryer disa nga proceset e listuar në kontratë, duke sjellë ndotjen e mjedisit dhe ujërave nëntokësore.

“Incenatori i Fierit është një nga rastet më ekzemplare të aferave të incenatorëve. Fakti që edhe pas sekuestrimit, pagesat vijojnë e thellon më shumë aferën korruptive. Ka një pikëpyetje të madhe si vazhdojnë pagesat dhe disbusohen”, deklaron deputetja Jorida Tabaku për “Vetting”.

Konkretisht, Ministria e Infrastrukturës ka paguar 376 milionë lekë (të vjetra) brenda vitit 2022. Kjo shumë është ndarë në 6 pagesa me vlerë 62,7 milionë lekë, ku 3 pagesa janë kryer brenda një dite në maj 2022 dhe 3 të tjera në të njëjtën ditë në korrik 2022.

Sipas burimeve nga Ministria e Financave, pagesat buxhetore për inceneratorët mund të bllokoheshin. Kjo situatë mund të realizohej nëse paraprakisht nisej një hetim administrativ nga ministria e linjës që mbikëqyr kontratat.

Sipas deputetes Tabaku, qeveria shqiptare duhet të kishte ngritur një grup pune për ti ndërprerë këto kontrata, pasi qartësisht zbatuesit janë nën shkelje të kontratave. Ajo thekson se duhej që ky grup vendoste që një grup tjetër pune të merrte në dorëzim Inceneratorët dhe të mos vazhdonin të paguanin nënkontraktohet.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb