Protestat e javëve të fundit në Shqipëri kanë kaluar kufijtë e vendit dhe kanë marrë vëmendjen e mediave ndërkombëtare.
Gazeta italiane “L’Espresso” i ka kushtuar një artikull zhvillimeve të fundit në Tiranë, duke e përshkruar tubimin para Parlamentit si një tjetër përshkallëzim të përplasjes mes qytetarëve dhe institucioneve.
Në fokus të raportimit janë përplasjet e regjistruara gjatë protestës së 23 korrikut, para Parlamentit ku demonstruesit hodhën vezë drejt forcave të rendit, ndërsa policia reagoi me ujë me presion dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.
Sipas medias italiane, lëvizja e protestës, e njohur si “revolucioni i flamingove”, është zgjeruar gjatë javëve të fundit dhe ka bashkuar qytetarë që kundërshtojnë projektet e mëdha turistike në zona të mbrojtura, por edhe që kërkojnë ndryshime politike në vend.
“L’Espresso” shkruan se protestuesit kanë vendosur në qendër të kërkesave të tyre ndalimin e projektit në Zvërnec, dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme.
Artikulli i medias italiane ndalet edhe te hetimet e SPAK, duke përmendur dyshimet për dokumente pronësie të falsifikuara mbi disa toka të lidhura me projektet e zhvillimit.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama ka kundërshtuar akuzat e opozitarëve dhe protestuesve, duke i cilësuar tubimet si të nxitura politikisht dhe pjesë të një “lufte hibride” ndaj qeverisë.
Sipas “L’Espresso”, pavarësisht kalimit të javëve, protesta vijon të mbetet aktive dhe përplasjet e fundit kanë rikthyer vëmendjen te klima politike në Shqipëri, në një periudhë kur vendi vijon procesin e integrimit në Bashkimin Europian.
