2 fitore, njëra prej tyre në tavolinë, dhe dy barazime nuk janë shifra që të bindin. Sigurisht që Andrea Pirlo ka më shumë se një alibi për të justifikuar barazimin kundër Crotone, në këtë sfidë duhet të bënte pa të paktën katër titullarë si Ronaldo, Dybala, De Ligt e Alex Sandro, McKennie pozitiv, Chiesa u hodh menjëherë si titullarë e shumë arsye të tjera, por në çdo rast, Juves së Pirlos u mungon diçka. Mbase është ende herët për të dalë në një përfundim por bardhezinjtë duhet të reagojnë shpejt. Si të mos mjaftonte ky barazim i hidhur 1-1 kundër Crotone, fundi i ndeshjes është shoqëruar me tension ku protagonist ishte Paolo Dybala.

Sulmuesi argjentinas qëndroi në stol për 90 minuta pasi këtë periudhë ka vuajtur një shqetësim në stomak që e privoi të luante edhe me përfaqësuesen argjentinase. Sipas “Tuttosport”, Dybala është kapur pas ndeshjes me drejtorin sportiv, Fabio Paratici ku i shprehu këtij të fundi mungesën e minutave në këtë sfidë. Dybala shprehu zhgënjimin e tij edhe me një like, i hequr më pas, në statusin e gazetares së “La Gazzetta dello Sport” e cila shkruante: “Pyes, çfarë kuptimi ka të marrësh Dybala në Crotone dhe të mos i japësh minuta në këmbë. Nëse nuk ishte në gjendje për të luajtur a nuk do të ishte me e logjikshme ta lije në Torino e të stërvitej?”
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: