Rikthimi i Sali Berishës në Kuvend sot, tashmë i zgjedhur sërish si kreu i PD, ka qenë dhe temë e diskutimit në studion e “Pikat mbi I”, me gazetaren Ola Bruko.

Analisti Artur Zheji tha se pas këtij zhvillimi në PD, është vënë re një ndryshim strategjie tek kryeministri Edi Rama.

“Pavarësisht se kemi opozitë të ndarë por unë them se ca si të pavarur do shkojnë te vatha, do bashkohen. Çështja e mediave dhe korrupsionit është shumë e ndjeshme, por kryetari i ri i opozitës është në pozicion.., sepse ka një non-grata, është një siklet i madh, sot e provokuan në Kuvend dhe do ta cënojnë sërish. Nuk mendoj se ne mund të ndryshojmë të dhënat e ekuacionit, por vetëm ta zgjidhim. Kemi tani zërin kryesor Berishën, ai këtë donte dhe këtë e fitoi. Do ta shohim si proces, mendoj se Rama jep shenja të një strategjie të re, të shpërfilljes ose të prekjes në plagë”, tha Zheji.

Ndërkohë analisti Fatos Lubonja u shpreh se problemi që sot ka Sali Berisha, është se shqiptarët tashmë e kanë humbur besimin tek denoncimet dhe se presin që të mbahen premtimet kur vjen në pushtet.

“Problemi që ka Berisha është se sot shqiptarët nuk besojnë më te denoncimi sepse nuk mjafton, ama kur ti vjen në pushtet në vend të mbash premtimet ndaj atyre që ke denoncuar bashkëpunon me ta, ky është problemi i kësaj klase sepse populli nuk të ndjek më se s’ka besim. Ajo që do ndodhë është që do bashkëpunosh me baronë droge, siç denonconte dikur Berisha se do vinte rruspat… kjo i ka dëshpëruar shqiptarët. Njerëzit janë të demoralizuar sa i përket denoncimeve”, tha Lubonja.

Më tej Zheji u shpreh: SPAK do godasë majtas. Ka dosje që po përfundojnë. Opozita t’ia lërë Ramës të sulmojë SPAK-un. Nëse do çojë në SPAK dosje dhe ka mundësi dhe ka instrumente, mjete, njerëzit. Të kopsisë dosjet t’i çojë në SPAK, atëherë mundet që kjo opozitë me Berishën kryetar të bëjë një hop substancial. Në qoftë se do ta çojë deri në fund, të mos bllokohet te sharmi i denoncimit, që e qan doktori, dosja në SPAK mund të krijojë balanca të reja. Mundësia e vetme, logjike është vetëm një aleancë e fortë e opozitës me SPAK.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb