Diego Simeone ka treguar edhe një herë se autoriteti i tij tek Atletico Madrid është i padiskutueshëm dhe çdo lojtar gjaknxehtë duhet të bëjë llogaritë me trajnerin para se të veprojë.

Kjo u pa sot në miqësoren që Atletico Madrid po luante në Holandë kundër Feyenoord ku Yannick Carrasco u bë protagonist i një çmendurie të vërtetë duke detyruar trajnerin të ndërhynte.

Pak para fundit të pjesës së parë, lojtari belg i Atleticos goditi një kundërshtar në tokë dhe shkaktoi një sherr mes lojtarëve të dy ekipeve, ku ai më pas edhe gjakosi në qafë një prej lojtarëve të Feyenoord.

Belgu ishte i pandalshëm edhe për shokët e ekipit, të cilët e kishin të vështirë ta mbanin pasi ai po u vërsulej edhe kundërshtarëve të tjerë. Kjo detyroi trajnerin Simeone që të hynte në fushë dhe të shkonte aty ku po ndodhte gjithçka.

Vetëm fjalët e trajnerit, ose më saktësisht ulërimat e tij, bënë që Carrasco të qetësohej e të largohej drejt dhomave të zhveshjeve, pasi u ndëshkua me karton të kuq për çmendurinë e tij.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb