Antonio Conte shijon fitoren me përmbysje në derbi, një fitore që i jep kreun: “Ishte një natë speciale. Në pjesën e parë hasëm vështirësi si kurrë më parë këtë sezon. Kishte rrezik që pësonim më shumë por u treguam të zotë të rigjenim ekuilibrat dhe besimin. Merita i shkon djemve të cilët u treguan të zotë duke rezistuar në momentet më të vështira.

Titulli kampion? Është herët për të folur por tani mund të ëndërrojmë. Kjo periudhë prej 10 ndeshjesh do të jetë shumë intensive, më pas mund të vlerësojmë shanset tona dhe të shohim nëse kanë ndryshuar me ato në fillim të sezonit. Gjithsesi, po bëjmë gjëra shumë të mira”, u shpreh Conte pas ndeshjes. Një mbrëmje e veçante edhe për Lukakun, goli i tij në shtesë vulosi fatet e një derbi shumë emocionues: “Pjesa e parë ishte e vështirë. Në të dytën, të gjithë në stadium panë mentalitetin e këtij ekipi që nuk dorëzohet kurrë. Un e them gjithnjë, punoj që skuadra të fitoj, kam ardhur këtu për të fituar. Falënderoj të gjithë shokët, stafin, trajnerin. Kur erdha në Itali e dija se nuk do të ishte e lehtë të shënoja, falënderoj tifozët, jam shumë i lumtur që jam këtu”, u shpreh Lukaku.

Një tjetër personazh i këtij derbi ishte padiskutim dhe Zllatan Ibrahimovic, i cili nuk arriti këtë herë të bëj heroin për “djallin” por ndryshe nga opinioni sportiv në Itali, Zllatan nuk besoj se Inter mund të fitoj titullin kampion:

“Është e vështirë të shpjegoj këtë humbje. Një pjesë e parë thuajse perfekte ndërsa në pjesën e dytë gjithçka shkoi keq. Në dhomat e zhveshjes thamë se nuk duhet të pësojmë gol në 15 minutat e para por pësuam dy. Humbëm besimin pa e kuptuar. Në pjesën e parë Inter nuk mu duk si një ekip që ishte në vendin e dytë, në pjesën e dytë po, e treguan, por gjithsesi nuk mendoj se janë për titull”, u shpreh Ibra.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb