Java 27-të e Bundesligës ka luajtur ndeshjen e radhës pasditen e sotme ku nuk kanë munguar rezultatet befasuese, siç ishte dështimi shtëpiak i Borusias së Mënshengladbahut.

Gladbahu u thye nga Bajer Leverkuseni me shifrat 3-1. “Aspirina” kaluan të parët në epërsi që në minutën e shtatë me Haverts, ndërsa me fillimin e pjesës së dytë bardhezinjtë barazuan me Markus Turam. Gjithsesi epërsia e Borusias nuk zgjat shumë pasi Haverts do të rikthejë epërsinë për Leverkusenin në të 58-ën me një godijte të saktë nga pika e bardhë e penalltisë.

Nëntë minuta nga fundi Sven Bender i vë kapak ndeshjes me golin e tij. Bajeri parakalon Gladbahun në renditje, pasi ngjitet i treti me 53 pikë një më shumë se Gladbahu, që tashmë ka presionin e Lajpcigut për vendin e fundit që të çon në Champions me ekipin e Red Bullit, i cili luan nesër ndaj Maincit.

Nëse Borusia e Mënshengladbahut hodhi një hap fals, ajo e Dortmundit bën detyrën duke kaluar Volfsburgun në shtëpinë e këtij të fundit. Verdhezinjtë shënojnë nga një gol për çdo pjesë loje. Në të 32-ën është Rafael Gerrero që realizon për epersinë e ekipit mik, ndërsa në të 78-ën Ashraf Hakimi i vë kapak sfidës. Për Volfsburgun asgjë në këtë takim, veç kartonit të kuq të Feliks Klausit 10 minuta nga fundi i ndeshjes. Dortmundi ngjitet në kuotën e 57 pikëve, një më pak sesa Bajerni, që do të luajë pak çaste më pas sfidën e tij me Ajntrahtin e Frankfurtit.

Në takimet e tjera të orës 15:30, Verderi i Milot Rashicës ka thyer në transfertë Frajburgun e Amir Abrashit. Shqiptari i Kosovës luajti për 82 minuta, ndërsa mesfushori kuqezi u aktivizua në të 71-ën. Golin e vetëm të takimit e shënoi Bitenkort në të 19-ën për një fitore me shumë vlera për Verderin, i përfshirë në luftën për mbijetesë.

Tjetër barazim për Paderbornin e Klaus Gjasulës, që në shtëpi ka mundur t’i shkëpusë një pikë Hofenhemit. Mesfushori i Shqipërisë u aktivizua për 90 minuta dhe u ndëshkua me karton të verdhë. Golat në këtë përballje u realizuan nga Skov në të 4-ën për miqtë dhe pesë minuta më pas barazoi Sërbeni. Paderborni mbyll renditjen me 18 pikë, 5 më pak sesa Dyseldorfi që mban vendin e tretë nga fundi, që të jep mundësinë për të zhvilluar play-outin.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb