DURRËS

Duket e pashpresë situata me plehrat në Durrës. Situata është e rëndë, me plehrat që po dekompozohen mbi trotuare dhe brenda kazanëve nën temperatura përvëluese, por tashmë duket se e njëjta situatë po përfshin edhe periferinë e qytetit bregdetar.

Në një video të siguruara nga ‘BalkanWeb’, duket se plehrat kanë ‘pushtuar’ edhe rrugët periferike. Plehrat janë hedhur nga Bashkia anës rrugëve nëpër fshatra.  Duke patur parasysh edhe temperaturat e larta të verës, këto plehra përbëjnë një kërcënim serioz për shëndetin e qytetarëve, pasi infeksionet rrezikojnë të përhapen prej dekompozimit të mbeturinave nën temperaturat 40 gradë Celsius

Durrësi duhet të ofronte një imazh komplet tjetër këtë sezon turistik, për më tepër që vjen pas dy viteve të vështira prej tërmetit dhe pandemisë.

Por panorama që ofron qyteti bregdetar është tej mase larg atij që duhet të kishte një bashki që turizmin e konsideron motorin e ekonomisë.

Qytetarët dhe turistët janë dëshmitarë të pamjeve të shëmtuara të rrugëve të qytetit, ku grumbujt me mbeturina dergjen trotuareve, pasi kazanët janë të tejmbushur.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb