Futbolli është ndërprerë për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe aktorët e tij mezi po presin të rikthehen në fushën e blertë. Aq më tepër Tirana, e cila kryeson kampionatin dhe është gati t’i japë fund agjërimit 11-vjeçar dhe të rikthejë titullin kampion në shtëpi. Trajneri i bardhebluve, Emanuel Egbo, ka folur për “Sport Neës” në “Neës 24” dhe ka rrëfyer shumë aspekte të kësaj peridhe të karantinës si dhe ka sqaruar situatën e djeshme, ku policia nxorri bardheblutë nga stadiumi ku po stërviteshin.

Karantina
Jemi si në arrest shtëpie. Nëse një sportist kalon më shumë se dy javë pushime është shumë problem pastaj. Asnjë lloj stërvitje nuk e zëvendëson atë në terren me skuadrën. Është shumë e vështirë ruash formën brenda në shtëpi. I shpjegojmë lojtarëve sesi duhet të stërviten çdo fillim jave.

Stërvitja në stadium
Është ajo që thashë më lart. Vetëm dy lojtarë të huaj kanë shkuar të bëjnë vrapime në “Selman Stërmasi”. Kjo është puna jonë. Qeveria ka lejuar disa biznese të punojnë dhe duhet ta bëjë edhe me ne. Tirana ka tre fusha stërvitore dhe mund të ndahemi në grupe në kushte shumë të mira higjenike. Duhet të qëndrojmë në formë sepse do e kemi të vështirë të luajmë. Nuk e bëjmë dot për dy javë dhe të rifillojmë sërish. Në Gjermani po stërviten të gjithë. Mund ta ndajmë me nga katër-pesë veta dhe mund të funksionojë. Lojtarët të vijnë, të bëjnë stërvitje dhe të ikin në shtëpi. Shumica në botë po stërviten dhe duke u stërvitur janë gati kur të rifillojë kampionati. Duhet të marrë një vendim qeveria dhe FSHF për këtë çështje.

Futbolli në verë
Rifillimi do të jetë i vështirë për lojtarët dhe klubet dhe temperatura do të jetë gati 40 gradë. Do të duhet të luajmë dy ndeshje në javë dhe do të jetë e vështirë. Prandaj them që klubet si Tirana që kanë kushtet duhet të lejohen të stërviten dhe policia mund të na vijë të kontrollojë sepse ndryshe është shumë e vështirë.

Titulli
Mbylljen e kampionatit e ka në dorë FIFA dhe UEFA. Nëse kampionati mbyllet nuk kemi çfarë të bëjmë.

Propozim për qeverinë
Kjo situatë do kohën e vet dhe mendoj se njerëzit duhet të kenë pak kohë për të dalë sepse po rëndohen shumë psikologjikisht. Të mbajme të moshuarit brenda dhe pjesa tjetër të ketë pak më shumë mundësi.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb