Opinioni sportiv por mbi të gjitha tifozët shpresonin shumë që në këtë fund sezoni dyert e stadiumeve të hapshin pjesërisht, ky ishte një thjeshtë një perceptim dhe një dëshirë duke parë që stadiumet u hapën por jo për tifozët. Federata Shqiptare e Futbollit duket e dorëzuar në këtë pikë, pavarësisht se shifrat e të prekurve nga COVID-19 kanë rënë ndjeshëm, ende nuk ka një dreitë jeshile nga Komiteti i Ekspertëve për këtë pjesë. Presidenti i FSHF-ës, Armand Duka, i pranishëm në Kukës, për të inspektuar punimet në stadiumin Zeqir Ymeri, theksoi se tashmë presin që sezonin e ri ta startojnë me tifozë dhe pa asnjë kufizim. Pandemia dhe efektet që solli COVID-19 ndikuan kudo, shtynë edhe afatet e përfundimit të stadiumit Zeqir Ymeri i cili sipas Dukës do të jetë gati në shtator për fillimin e sezonit të ri:

“Stadiumi nuk është në ritmet që kemi pritur por asgjë nuk është në ritmet që kishim menduar të gjithë para pandemisë. Kemi kaluar një kohë të pazakontë, që ka qenë pandemia dhe krahasimisht me periudhën dhe me kohën jam i surprizuar me nivelin e punimeve sepse mendova se pandemia do ta kishte penguar më shumë. Nuk ka penguar vetëm kompaninë, ka penguar çdo gjë, në jetët tpna, jo vetëm shqiptare por në të gjithë globin. Na ka penguar edhe neve, në pikëpamjen financiare kemi pasur vështirësi për ta financuar kompaninë dhe për të vazhduar me ritme akoma më të shpejta. Kemi pasur objektiv për ta mbaruar më shpejt, por gjithsesi tashmë kemi një objektiv të ri, duke u përshtatur me situatën e re që në shtator ta inagurojmë stadiumin dhe të zhvillojmë ndeshje me ekipin e Kukësit në këtë stadium”.

“Kjo pjesë e Kukësit, sportdashësit dhe komuniteti sportiv, është me fat që Safet Gjicin, i cili është presidenti klubit dhe kryetar Bashkie, dhe që në rastin konkret mendon akoma edhe më shumë për futbollin, pasi kuptohet që Bashkia ka një mijë e një probleme, ka prioritete, mbase edhe më të rëndësishme se sporti, por duke e pasur nga radhët tona kryetarin e Bashkisë, vëmendja është akoma më e madhe. Bashkë me kryetarin kemi futur në projekt rindërtimin e të gjithë zonës edhe të ambienteve të stërvitjes për ekipin. Do të ndërtojmë një infrastrukturë të plotë, një projekt zhvillimi për futbollin në Kukës dhe jo vetëm një stadium për të bërë gara. Gjithashtu, edhe me ambientet përpara, parkimin, me të gjitha gjërat, jo vetëm ato që kemi pasur si objektiv, por mendoj se është përtej ëndrrave tona më të mira ky stadium”.

“Dëshira e çdo futbollisti, e çdo njeriu që merret me sport është të ketë spektatorë në stadium, jo thjesht për të marrë mbështetjen e tij, jo thjesht për të ndihmuar financat e tij, por për të ndikuar në jetën shoqërore të vendit. Por duke pasur parasysh se shëndeti është mbi të gjitha, ne nuk mund të insistojmë që ne duhet të kemi tifozë. Janë ata që vendosin rregullat dhe protokollet dhe që përgjigjen për ruajtjen e shëndetit tonë. Edhe njëherë e përsëris, ne tentojmë një ditë e më parë të kemi tifozë, ndërsa specialistët, mjekët që gjej edhe njëherë rastin t’i falënderoj për të gjithë ndihmën që na kanë dhënë në këtë periudhë të vështirë, duhet që edhe ata të bëjnë detyrën e tyre. Siç jemi edhe të informuar ditët e fundit, grafiku i infektimit ka rënë, jemi më pak nën kanosjen e virusit, gjithashtu, vaksinimi po vazhdon dhe të paktën të urojmë dhe të shpresojmë që në shtator të jemi me kapacitete të plota në stadiume dhe në çdo aktivitet të jetës sonë”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: