Ëndrra e Juventusit për të fituar “Triplete” në këtë sezon mbetet konkrete, pasi ekipi i Alegrit ka hedhur sot hapin e parë, duke ngritur lart Kupën e Italisë.

Bardhezinjtë kanë mundur në finale 2-0 Lacion e Strakoshës, i cili duhet theksuar se shpëtoi skuadrën e tij sidomos në pjesën e parë nga një pasiv edhe më i rëndë.

Suksesi i Juventusit erdhi nga mbrojtja, pasi protagonistë të fitores ishin lojtarët e këtij reparti. Goli i parë, i realizuar nga Dani Alvesh, erdhi pas një harkimi perfekt prej 40 metrash nga Aleks Sandro. Ky i fundit, në minutën e 25-të, dha edhe asistin për Bonuçin që dyfishoi shifrat, para Strakoshës së pafajshëm në të dy rastet e golave.

Portieri shqiptar më pas mbajti skuadrën e tij në lojë deri në fund me ndërhyrje të sakta, por shokët e tij në repartin e sulmit nuk ishin në ditë të mirë dhe shpërdoruan rastet që iu krijuan para katërkëndorit të Juventusit që sot mbarohej nga Neto.

Pasi fitoi për herë të 12 Kupën e Italisë, Juventus mund të festojë këtë javë në fushën e vet edhe titullin e 6 kampion radhazi, pasi përballet të dielën me Krotonen dhe një sukses i garanton matematikisht trofeun. Kjo do t’i jepte mundësinë bardhezinjve që të përballonin më qetë javën e fundit dhe të fillonin të mendonin edhe ata për finalen e Ligës së Kampioneve. /PanoramaSport/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: