TIRANË

Ka nisur vendosja e Forcave të Rendit përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku në orën 17:00 pritet të nisë manifestimi i thirrur nga Presidenti Ilir Meta.

Gazetarja Dorjana Bezat sjell në redaksinë e “BalkanWeb” pamje, që tregojnë policët e vendosur në rrugë, ndërsa thekson se ata janë të pajisur me kundragaz.

Ndërkohë, gazetarja Bezat raporton për “BalkanWeb” se para Kryeministrisë kanë mbërritur edhe 3 autobotë, si dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.

Gjithashtu, në të gjithë bulevardin janë instaluar kamera me rezolucion të lartë, si dhe autoporlantë, ndërsa shtyllat ku janë vendosur këto pajisje, janë lyer me graso.

Më tej, gazetarja Bezat raporton për “BalkanWeb” se në këtë manifestim pritet të ketë një numër më të vogël punonjësish policie, pasi manifestimi pritet të jetë i qetë.

Megjithatë, policia ka marrë informacion se edhe Garda është në shërbim të përforcuar, ndërsa Policia e Shtetit ka kaluar në gatishmëri 24 orë. 1000 forca policore janë në gatishmëri nëse do të ketë nevojë për ndërhyrje.

Nuk ka informacione që manifestimi të zhvendoset nga Kryeministria drejt Parlamentit, ashtu si nuk ka informacione për incidente, edhe pse policia i ka marrë të gjitha masat, duke rrethuar me gardh metalik institucionin e kryeministrit. Ndërkohë fillimisht forcat policore janë dislokuar në pjesën e pasme të kryeministrisë kurse me nisjen e manifestimit do të vendosen para kryeministrisë. Grupe manifestuesish po vijnë nga sheshi ”Skënderbej” ndërsa është pezulluar qarkullimi në Bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, nga ura e lumit Lanë deri tek sheshi ”Nënë Tereza”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb