Prej dhjetë ditësh, banorët e Divjakës vijojnë protestat kundër projektit për shkrirjen e Bashkisë Divjakë dhe bashkimin e saj me Bashkinë Lushnjë.
As mbrëmja e së dielës nuk ka ulur ritmin e protestuesve, të cilët kanë dalë sërish në rrugë për të kundërshtuar ndryshimin e propozuar në strukturën e pushtetit vendor.
Kërkesa e tyre mbetet e njëjtë: ruajtja e Bashkisë Divjakë si njësi më vete e qeverisjes vendore. Paralelisht me protestën, banorët vijojnë firmosjen e një peticioni, i cili pritet t’u dërgohet institucioneve shtetërore.
Protestuesit shprehen se nuk do të ndalen dhe se tubimet do të vijojnë deri në plotësimin e kërkesës së tyre për të mos shuar Bashkinë Divjakë.
