Pusteci çeli zyrtarisht sezonin turistik me një aktivitet festiv që promovoi bukuritë natyrore, trashëgiminë kulturore dhe kulinarinë tradicionale të zonës së Prespës. Kryebashkiaku i Pustecit shprehet optimist për një sezon me fluks të shtuar vizitorësh, ndërsa vlerësoi edhe mbështetjen e Birrës Korça në organizimin e festës, ku theksoi se kompania kontribuoi me mbështetje logjistike dhe infrastrukturë për zhvillimin e aktivitetit, duke e cilësuar këtë si një shembull të rëndësishëm bashkëpunimi mes institucioneve dhe biznesit.

Amvisat promovuan gatimet tradicionale për vizitorët dhe turistët e shumtë që ishin atje.

Turistët e cilësuan Prespën si një destinacion “magjik”, duke veçuar peizazhet e liqenit, ishullin e Maligradit dhe mikpritjen e banorëve.

“Po e kam vizituar shumë herë Korçën dhe Shqipërinë në përgjithësi. Në Prespë kam qenë edhe dy muaj më parë dhe vendosa të organizoj turin “Prespa road trip”, ku vizituam liqenin që ndahet mes 3 shteteve. Çdo gjë gjatë udhëtimit ka shkuar shumë mirë dhe ky vend po përmirësohet nga viti në vit”.

“Më herët kam vizituar Prespën në anën e Greqisë dhe të Maqedonisë së Veriut, por nga territori në Shqipëri jam mrekulluar. Për mua është magjike, thjesht magjike. Lundruam me varkë, shkuam në Maligrad, tek ishulli, dhe e gjithë pamja është e mrekullueshme”.

Lundrimet me varke drejt ishullit të Maligradit mbeten ndër aktivitetet e preferuara të turistëve, ndaj Bashkia Pustec po punon për të përmirësuar ofertën turistike përmes investimeve të reja, përfshirë edhe sigurimin e një varke turistike me kapacitet më të madh.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb