ELBASAN
Në Ditën Botërore të Jetës së Egër Qarku i Elbasanit rezulton nga më të pasurit në Shqipëri me larmishmëri gjitarësh e shpendësh të egra.
Elbasani dhe Shqipëria janë parajsa e kafshëve të egra. Qarku i Elbasanit është cilësuar si shtëpia e dhjetëra lloje gjitarësh dhe qindra lloje shpendësh, përfshirë disa specie mjaft të rralla në nivel global. Lloje të shumta të faunës së egër në zona të ndryshme të Elbasanit jetojnë të qeta në habitatet e tyre dhe ndikim në këtë aspekt ka pasur edhe ndalimi i gjuetisë.
Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura Elbasan (AdZM Elbasan) ka realizuar monitorime të vazhdueshme duke përdorur kamera kurth dhe metoda të tjera për identifikimin e faunës së egër në të gjithë territorin e bashkive Elbasan, Librazhd, Prrenjas, Gramsh, Cërrik, Belsh e Peqin. Vendosja e kamerave kurth në zonat e mbrojtura ka për qëllim vrojtimin e faunës së egër që ndodhet në këto zona dhe ka zbuluar lloje të shumta të kafshëve.
Në Parkun Kombëtar “Shebenik” sipas të dhënave më të fundit janë regjistruar prani e shtuar e Rrëqebullit të Ballkanit (Lynx lynx balcanicus) dhe e Dhive të egra (Rupicapra rupicapra) duke konfirmuar rëndësinë e këtij parku për ruajtjen e këtyre specieve.
Për më tepër sipas specialistëve të AdZM Elbasan janë identifikuar edhe Ariu i murrmë, Macja e egër, Lundërza, Dhia e egër, Kaprolli, Baldosa, Ujku, Çakalli, Derri i egër, Lepuri i egër, Dhelpra, Kunadhja gushëverdhë, Kunadhja gushëbardhë, Shqiponja, Kryekuqja e vogël, Mjellma, Karabullaku i madh, Karabullaku i vogël dhe Çafka e bardhë.
Këto të dhëna theksojnë rëndësinë e vazhdueshme të monitorimit dhe ruajtjes së biodiversitetit në këtë rajon. Fatmirësisjt ka një ndërgjegjësim të popullatës falë edhe komunikimit të shtuar nga ekspertët dhe ambientalistët dhe gjatja e moratoriumit deri në vitin 2025 ka ndikuar përmirësimin e gjendjes së llojeve të faunës së egër e cila është jo vetëm një pasuri e jashtëzakonshme por edhe një trashëgimi e rëndësishme në nivelin kombëtar dhe ndërkombëtar.
(BalkanWeb)
