Një roje që ruante arkivolin e Sandra Day O’Connor në Gjykatën e Lartë të SHBA-së humbi ndjenjat, teksa rrëzimi i saj u transmetua drejtpërdrejt në televizionin amerikan.

O’Connor, e cila ishte anëtarja e parë femër e Gjykatës së Lartë të SHBA, vdiq më 1 dhjetor në Phoenix, Arizona në moshën 93 vjeçare nga komplikimet me demencën dhe sëmundjet e frymëmarrjes.

Funerali i saj, u zhvillua dje, në sallën kryesore të Gjykatës së Lartë, ku shumë personalitete – përfshirë Kamala Harris – bënë nderimet e tyre dhe i dhanë lamtumirën gruas së rëndësishme.

Në pamjet e transmetuara drejtpërdrejt nga Gjykata e Lartë, një roje femër që qëndron pranë arkivolit shihet duke u rrëzuar, ndërsa ende nuk dihen arsyet pse humbi ndjenjat.

Klipi në fjalë tregon një koleg roje që përpiqet ta mbajë, ndërsa gruaja merr ndihmë nga kalimtarë të tjerë.

Kush ishte Sandra Day O’Connor

Konservatore, por politikisht e moderuar, Sandra Day O’Connor u emërua nga ish-presidenti Ronald Reagan në 1981 dhe shërbeu për më shumë se 24 vjet deri në pensionimin e saj në 2006.

Ajo u largua për t’u kujdesur për bashkëshortin e saj, John Jay O’Connor, i cili po luftonte me sëmundjen e Alzheimerit dhe vdiq në vitin 2009. Presidenti George W. Bush emëroi gjyqtarin Samuel Alito për ta zëvendësuar atë.

Ndër vendimet e saj historike ishin vota vendimtare që nominoi në mënyrë efektive George W. Bush-in për president pas zgjedhjeve të vitit 2000 dhe rasti Planned Parenthood kundër Casey i vitit 1992, për të drejtën e grave për abort. Ironikisht, pasardhësi i saj, Samuel Alito, ishte bashkëautor i vendimit të shumicës në vitin 2022 që e përmbysi atë të drejtë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: