Një tjetër aktor do t’i mungojë nga kinematografisë shqiptare dhe publikut. Enea Zhegu, aktori që u bë protagonist që në fëmijëri në filmin “Tomka dhe shokët e tij” apo “Lulëkuqe mbi mure”, ka mbyllur sytë përgjithmonë mëngjesin e së dielës në moshën 57-vjeçare, për shkak të një sëmundje e rëndë.

Të gjithë e identifikonin me Tomkën, personazhin kryesor te filmit “Tomka dhe shokët e tij”, të kinostudios në 1977, por në fakt Enea Zhegu e kishte luajtur në dy filma më parë. Në vitin 1976 tek lulëkuqe mbi mure ai kishte rolin e Lelos, djalit çapkën që lidhi tek shkallët fijen e spangos që rrezoi kujdestarin.
Rolin e dytë tek njeriu me top po në ‘77, ku do të luante Zigurin.

Pas 9 vitesh ne 1986 shfaqja e fundit në një film, tek “Një jetë më shumë” i Gëzim Erebarës. Më pas karriera e Enea Zhegut mori një tjetër rrugë, fillimisht problemet me shkollën e mesme për shkak të shpirtit të lirë dhe rebel me pas emigrimi i shkurtër në Greqi dhe Itali. Rikthimi në atdhe e çoi tek akademia e arteve, por kohët kishin ndryshuar. Kinematografia e kishte humbur shkëlqimin dhe Enea Zhegu do të t’i futej rrugës së biznesit duke hapur një bar restorant në rrugët e Tiranës. Ashtu vrullshëm siç e nisi jetën duke u bërë protagonist që në fëmijëri, Enea Zhegu u nda nga jeta në mënyrë të parakohshme në moshën 57 vjeçare. Aktori vuante nga një sëmundje e rëndë, ndërsa me ikjen e tij pikëlloi familjen, ta afërmit dhe shokët, ndërsa për publikun do të mbahet mend gjithmonë rolet e tij në ekranin e madh.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: