Marrëveshja e re e tregtisë së lirë BE-Vietnam, (EVFTA), e cila hyri në fuqi më 1 gusht, ofron perspektiva të reja për ekonomitë evropiane e aziatike, tha sot kryeministri vietnamez, Nguyen Xuan Phuc.

“BE është një treg me kërkesa të rrepta për cilësinë, prandaj marrëveshja e tregtisë së lirë hap mundësi që Vietnami të inovojë modelin e tij të rritjes, të inkurajojë bizneset të përmirësohen, të pranojnë rregulla të reja dhe më të rrepta, si edhe të krijojnë vende të reja pune”, tha ai.

Marrëveshja e re e BE-së me Vietnamin do të eliminojë 99 % të të gjitha tarifave nga të dyja palët, do të shkurtojë barrierat jotarifore dhe so të hapë shërbimet e Vietnamit dhe tregjet e prokurimit publik për kompanitë e BE-së.

“EVFTA do të promovojë tregtinë dhe investimet, do të krijojë mundësi afatgjata dhe do të formësojë marrëdhëniet midis BE-së dhe Vietnamit gjatë dhjetë viteve të ardhshme”, theksoi Jean-Jacques Bouflet, zëvendëspresident i Dhomës së Tregtisë Europiane në Vietnam.

EVFTA është përshkruar nga Brukseli si marrëveshja e tij më ambicioze me një vend në zhvillim.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb